Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se Kosova është atdheu ynë i përbashkët dhe se po kalon ditët më të rënda që nga pavarësia, raporton gazeta Blic.
Ajo përmes një postimi në Facebook, ka thënë se me Albin Kurtin nuk pajtohen për asgjë por që për PDK-në Kosova vjen para kalkulimeve të ngushta elektorale dhe në raport me Serbinë, nuk duan që Kryeministri i Kosovës të dështojë.
Ajo ka thënë se duhet debatuar me Kurtin për shumë çështje dhe se duhet koordinim me aleatët pasi pa ta e pa miq është e vështirë.
Postimi i saj i plotë:
Kosova është atdheu ynë i përbashkët. E Kosova sot po kalon ditët më të rënda që nga shpallja e pavarësisë.
Me Albin Kurtin nuk pajtohemi pothuajse për asgjë. Madje nuk pajtohemi as me menaxhimin e situatës këto ditët e fundit.
Megjithatë, për ne, si parti politike shtetndërtuese, Kosova vjen para kalkulimeve të ngushta elektorale.
Në raport me Serbinë, ne nuk duam që Kryeministri i Kosovës të dështojë.
Ne duam që me KM Kurti të debatojmë për krizën energjetike, për rritjen e çmimeve, për ligjin e pagave e për shumë e shumë çështje tjera.
Në raport me politikën e jashtme, e posaçërisht në funksion të fuqizimit të Kosovës, ne të gjithë duhet të synojmë konsenzusin. Nuk duhet t’i replikojmë modelet e kaluara të opozites.
Duhet jo vetëm të komunikojmë, por edhe të koordinohemi me aleatët tanë. Pa aleatw e pa miq është e vështirë.


