Lajme

Dalin në gjyq kosovarët e akuzuar për “blerjen” e të miturave nga Shqipëria

11/07/2022 11:39
nga:Genita C

Ka filluar sot gjykimi në Zvicër ndaj Albërim F., një 65-vjeçari nga Kosova dhe katër djemve të tij, të cilët po ka akuzohen për “blerjen” e vajzave të mitura nga Shqipëria.

Të gjithë të akuzuarit janë shfaqur në seancë gjyqësore në Moutier të Zvicrës, raporton Blick.ch.

Blick ka publikuar fotografitë e kosovarëve teksa mbërrinin në objektin e gjykatës.

Akuza ndajkosovarit 65-vjeçar thotë: Ai ka blerë për secilin djalë nga një vajzë të moshës mes 14 dhe 17 vjet si “bashkëshorte”. Ai i ka sjellë ato nga Ballkani për në Bern. E në Zvicër babai dhe djemtë keqtrajtuan gratë për një dekadë e gjysmë.

Viktima e parë u soll në Zvicër nga Shqipëria në vitin 2003. Atëbotë si 17-vjeçare ajo kishte parë bashkëshortin vetëm nëpërmjet fotografive. Prindërit kishin aranzhuar martesën. Prindërve të vajzës u ishte premtuar se vajza e tyre do të ketë një jetë më të mirë në Zvicër.

Një vajzë tjetër ishte vetëm 14-vjeçare, e po jetonte në varfëri dhe sipas hetuesve ajo ishte shitur për 300 euro nga prindërit e saj.

Por, jeta e premtuar doli se ishte kurth. Kryefamiljari Alberim F. (65) i kishte këshilluar djemtë e tij, siç thotë akuza, saktësisht se si të sillen me “gratë”: të përdorin dhunë trupore dhe fizike.

Më pas gratë ishin rrahur vazhdimisht nga anëtarët e familjes, poshtëruar, izoluar e madje ishin kërcënuar me vdekje.

“Ai i ka rrahur mbi 20 herë me rrip”, thuhet në akuzë.

Në pikë tjetër të akuzës thuhet: “Ndonëse ajo ishte shtatzënë, vjehrri rrahu rejën derisa nisi të gjakoste”.

Njëra prej viktimave duhej t’u lante këmbët vjehrrit dhe kunatit. Aktakuza përbëhet nga 30 faqe.

Gratë rrallë lejoheshin të dilnin nga shtëpia dhe nuk kishin thuajse asnjë kontakt me familjet e tyre. Pas 16 vjetëve në Zvicër, njëra nga gratë nuk mund të fliste asnjë nga gjuhët kombëtare, dhe ishte ilegalisht në Zvicër.