Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka dënuar qasjen e serbëve për largim nga institucionet e Kosovës, të cilat ka thënë se janë në kundërshtim me frymën e dialogut dhe janë veprime me tentim destabilizimin e vendit, raporton Gazeta Blic.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka bërë thirrje që qytetarët e komunitetit serbë të mos manipulohen nga kërcënimet e grupeve kriminale në veri, që janë të dirigjuara nga Beogradi.
Postimi i tij i plotë:
USHTRIA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS ËSHTË ME JU!
Si ngritja e kapaciteteve ushtarake serbe në kufirin me Republikën e Kosovës, ashtu dhe vendimi i pjesëtarëve të komunitetit serb për largim nga institucionet e Kosovës janë veprime me tentim destabilizimin e vendit.
Dënojmë një qasje të tillë që qartazi është në kundërshtim me frymën e dialogut e po ashtu me realitetin e ri të Kosovës.
Këto veprime janë pengesa e vetme që të arrihet një marrëveshje që do lejonte të dyja shtetet të ecin para për t’u integruar në Bashkimin Evropian.
Ministria e Mbrojtjes ashtu si dhe organet e tjera të rendit, mbetet e përkushtuar për të garantuar sovranitetin e vendit si dhe mbrojtjen e jetës së gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës pa dallim etnie.
I vetmi kërcënim për komunitetin serb janë individët dhe grupet kriminale serbe të dirigjuara nga Beogradi, veprimtaria e të cilëve duhet ndalur sa më parë, dhe për këtë jemi në koordinim të vazhdueshëm me Policinë e Kosovës, si dhe me misionin e KFOR-it.
Prandaj, apelojmë të gjithë qytetarët e vendit e specifikisht qytetarët tanë të komunitetit serb, që të jenë vigjilent, të mos manipulohen dhe të mos bien pre e dezinformatave që janë pjesë e skenarëve të orkestruar pandërprerë nga Serbia dhe mekanizmat e saj të njohura e të praktikuara edhe në të kaluarën.
Republika e Kosovës dhe institucionet e saj janë në shërbim të të gjithë qytetarëve, andaj angazhimi në to dhe respektimi i tyre është përgjegjësia jonë e përbashkët.


