Faqja zyrtare në internet e FSHF-së ka publikuar deklaratat e trajnerit të kombëtares, Edoardo Reja, pas miqësores së djeshme me Arabinë Saudite, e cila u mbyll në barazim 1-1. Tekniku veteran italian vlerëson provën e përfaqësueses shqiptare ndaj një skuadre që do të marrë pjesë në finalet e Botërorit “Katar 2022”, teksa thekson se ka marrë përgjigjet e duhura dhe ka mbajtur shënim disa nga emrat e rinj, të cilët mund të jenë të pjesë e kuqezinjve edhe në të ardhmen.
Prova e Abu Dabit – “Me Arabinë Saudite ka qenë një ndeshje mjaft interesante, kemi luajtur ndaj ekipi që ka treguar vlera të mira në fushë, por ne bëmë një ndeshje shumë të mirë, me përqendrimin e duhur. Djemtë punuan shumë mirë gjatë ndeshjes, duke krijuar 4 ose 5 raste për gol për të mos harruar edhe një penallti të padhënë nga gjyqtari në rastin e ndërhyrjes ndaj Skukës. Duke marrë në konsideratë vlerat e Arabisë Sauditë është e qartë që kemi bërë një paraqitje të mirë dhe për këtë duhet t’iu bëj komplimentet djemve për seriozitetin që treguan gjatë gjithë këtyre ditëve”.
Emrat e të ardhmes – “Sigurisht, unë kam marrë indikacione të rëndësishme nga kjo ndeshje, kam mbajtur shënim emrat e disa lojtarëve edhe për të ardhmen. Miqësore të tilla janë të rëndësishme për të fituar eksperiencë dhe për të nxjerrë konkluzione, ndërkohë që do të kemi edhe një miqësore të tretë në nëntor, ku do të testojmë pjesën më të madhe të lojtarëve që kisha në këtë grumbullim”.
Përmirësimi në finalizim – “Sidoqoftë pres përmirësime të mëtejshme në aspektin e lojës dhe mbi të gjitha për problemin e zakonshëm, kemi vështirësi në pjesën e konkretizimit të manovrave në fazën ofensive. Ndaj Arabisë nga 5 raste të paktën duhet të kishim shënuar 2 ose 3 gola. Kishim raste të mira, kështu që në këtë pjesë të lojës duhet të përmirësohemi dhe të jemi më të saktë në finalizim. Në vija të përgjithshme kemi bërë një ndeshje të mirë”.
Surpriza pozitive – “Më pëlqeu që vetëm në pak ditë stërvitje bashkë, djemtë ishin shumë të përqendruar për të bërë detyrën e tyre sa më mirë. Kishim ekuilibër në skuadër dhe duhet t’iu bëj komplimentet e mia të gjithëve. Nuk e mendoja që brenda një kohe të shkurtër skuadra do të funksiononte kaq mirë në fushë, sepse nuk është e lehtë. Djemtë u treguan të zotë sidomos në fazën mbrojtëse për të kuptuar vendosjen, kemi treguar se jemi një skuadër solide. Kemi bërë mirë në aspektin taktik, sidomos në mbrojtje. Edhe nga mesfusha në sulm, gjithashtu krijuam aksione të mira. Për këtë arsye duhet t’i komplimentoj protagonistët”.


