Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se çmimet e mallrave ushqimore bazike janë rritur deri në 64 për qind, rritja ekonomike është ulur në vetëm 2.14% në tremujorin e tretë të këtij viti, ndërsa të hyrat në ATK janë rritur me 21 për qind, raporton Gazeta Blic.
Ai ka thënë se rritja e të hyrave në ATK ka ardhur për shkak të rritjes së çmimeve të mallrave dhe jo rritjes së aktivitetit ekonomik.
Ky reagim ka ardhur pasi kryeministri Kurti sot tha se janë rritur të hyrat në ATK, derisa Hoti thotë se qeveria po lavdërohet me këtë.
Ai ka thënë se nëse qeveria do ta ulte TVSH-në në produkte ushqimore dhe naftë, si dhe të pezullonte përkohësisht akciza në naftë, atëherë sot do të kishim rreth 300 milionë euro më shumë në qarkullim në ekonomi.
Postimi i tij i plotë:
Çmimet e mallrave ushqimore bazike janë rritur deri në 64% (sipas Agjencisë së Statistikave).
Rritja ekonomike është ulur në vetëm 2.14% në tremujorin e tretë të këtij viti.
Të hyrat e ATK-së janë rritur me 21%.
Bazuar në këto tri fakte, është e qartë se rritja e të hyrave të ATK-së ka ardhur nga rritja e çmimeve të mallrave, e jo nga rritja e aktivitetit ekonomik.
Qeveritarët lëvdohen se rritja e të hyrave të ATK-së ka qenë rekorde, bile është tejkaluar edhe plani për mbledhjen e të hyrave.
Nëse Qeveria do të ulte TVSH-në në produkte ushqimore dhe naftë, si dhe të pezullonte përkohësisht akciza në naftë, atëherë sot do të kishim rreth 300 milionë euro më shumë në qarkullim në ekonomi, në llogaritë bankare të qytetarëve dhe bizneseve.


