Sulmuesi i klubit spanjoll Real Madrid, Vinicius Junior (22), beson se tifozët që janë shpallur fajtorë për sjellje raciste duhet t’u ndalohet përjetësisht hyrja në stadium.
“Nëse lëndoni njerëzit e tjerë, duhet të paguani. Të gjithë racistët duhet të paguajnë në një farë mënyre. Nëse u pëlqen të shikojnë futboll, ata nuk duhet të lejohen të shkelin më kurrë në stadium. Kjo do t’i bëjë ata të përballen me pasojat dhe të mendojnë për veprimet e tyre”, tha braziliani për TV Globo, përcjell GazetaBlic Sport.
Në shtator, Vinicius ishte viktimë e abuzimit nga tifozët e Atletico Madrid. Mediat vendase raportuan se thirrjet “Vinicius, vdis” janë dëgjuar gjatë gjithë ndeshjes.
Atletico dhe La Liga dënuan abuzimin e sulmuesit brazilian dhe Atletico tha se ata po bashkëpunojnë me autoritetet për të identifikuar abuzuesit. Prokuroria në Madrid po heton edhe rastin.
Vinicius u ofendua edhe nga presidenti i shoqatës së agjentëve të futbollit spanjoll, Pedro Castro, i cili kritikoi ashpër mënyrën e tij të festimit të golave në një emision televiziv.
“Nëse shënon një gol dhe më pas kërcen samba, shko në Sambodrom. Në fushë, duhet të respektosh kolegët dhe të mos sillesh si majmun”, tha Castro në emision.
Vinicius më pas lëshoi një deklaratë emocionale dy-minutëshe me video në përgjigje të asaj që ai e quajti një sharje “ksenofobike dhe raciste”, duke thënë se “nuk do të ndalojë së kërcyeri” dhe se “lumturia e një braziliani të zi për të qenë i suksesshëm në Evropë shqetëson shumë njerëz”.
Pele, Neymar dhe figura të tjera kryesore braziliane e mbështetën menjëherë.


