Lajme

Blinken i drejtohet Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë duke kujtuar fjalët e Albright: Ajo çdo herë thoshte se Kosova e bën krenare

10/22/2022 10:20
nga:Astrit Gashi

Në hapje të edicionit të parë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili fillon punimet sot në Prishtinë, dhe i cili mbahet me iniciativë të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pjesëmarrësve iu drejtua me një video adresim të të veçantë, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Sekretari Blinken tha se Forumi i organizuar nga Presidentja Osmani bashkon dy gjëra që i kishte shumë për zemër Sekretarja Madeleine Albright: popullin e Kosovës dhe fuqizimin e grave.

Ai ka falënderuar Presidenten Osmani për organizimin e këtij Forumi dhe NDI-në për mbështetjen e tij.

Sipas tij, Sekretarja Albright kur është pyetur se çfarë e bën krenare gjatë shërbimit të saj prej shumë dekadash, gjithmonë thoshte Kosova.

Sipas tij, në vizitën e fundit në Prishtinë, në vitin 2019, Sekretarja Albright ka mbrojtur sërish ndërhyrjen e NATO-s, në Kosovë, më 1999.