Karim Benzema, sulmuesi i Real Madridit është fituesi i Topit të Artë, që France Football ia jep futbollistit më të mirë në botë.
Benzema ishte lojtari më i mirë i Realit sezonin e kaluar dhe me lojëra dhe gola të shkëlqyera, ai i udhëhoqi ata drejt fitimit të titullit të ri të Ligës së Kampionëve. Në total, ai shënoi 50 gola në sezon, 15 prej të cilëve në Champions League, përcjell GazetaBlic Sport.
Për herë të parë në karrierën e tij, 34-vjeçari Benzema e fitoi këtë çmim.
“Kur e shoh këtë çmim, më bën krenar për punën që kam bërë për ta fituar. Ishte ëndrra ime. Kisha dy idoll – Zidane dhe Ronaldo. Gjithmonë e kam ditur se kjo ishte e mundur”, tha Benzema dhe vazhdoi:
“Kam pasur një periudhë të vështirë kur nuk jam thirrur në kombëtare. Por nuk u dorëzova kurrë, gjithmonë kam punuar shumë. Nuk ishte e lehtë, por tani jam i lumtur sepse jam këtu, falë shokëve të mi në Real dhe në kombëtaren franceze. Kam shumë njerëz për të falënderuar. Ky është një çmim individual, por skuadra më ndihmoi.”
/GazetaBlic Sport


