Lajme

“40 mijë të punësuar”/ Avdullah Hoti-Kurtit: Ku janë? Çfarë firmash? – Personalisht do t’i vizitoja

10/12/2022 20:52
nga:G B

Në vikend, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Kosova ka shënuar progres ekonomik.

Në një postim në Facebook ai listoi ndihmat e qeverisë ndaj qytetarëve e bizneseve, derisa tha se në Kosovë ka rritje ekonomike.

Kurti tha se për 1 vit e gjysmë qeverisje të Lëvizjes Vetëvendosje, janë punësuar 40 mijë persona.

“Si rezultat, në vitin 2021 kishim të regjistruara 25 mijë vende pune më shumë sesa ai pararendës, kurse nga janari deri në gusht të këtij viti kemi 15 mijë vende pune më shumë”, shkroi Kurti në Facebook.

Por, ndaj këtyre shifrave ka pasur mjaft reagime nga opozita e ekspertët e ekonomisë, të cilët kanë thënë se këto shifra nuk janë reale.

Ndërsa, deputeti i LDK-së dhe ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në një prononcim për Gazeta Blic, ka thënë se do të ishte mirë nëse do të ishte ashtu siç thotë Kurti.

Ai madje ka thënë se nëse do ta dinte se në cilat firma janë punësuar ata punëtorë, do të shkonte t’i vizitonte.

“Më vjen shumë mirë nëse është kështu. Do të ishte mirë të dinim ku janë ato firma që i kanë punësuar këta punëtorë. Unë vet do t’i vizitoja dhe do t’i përgëzoja për këtë”, deklaroi deputeti Hoti./Gazeta Blic/