Lajme

Besnik Tahiri: Kosova ka lindur dhe jeton me NATO-në, duam të jemi pjesë e NATO-së!

10/08/2022 13:25
nga:Astrit Gashi

Kreu i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, gjatë fjalimit të tij në hapje e punimeve të Seminarit të 102-të të Asamblesë Parlamentare të NATO-s që po mbahet në Prishtinë, ka deklaruar se përkundër faktit që jemi në opozitë dhe kemi mospajtime me Qeverinë, kur bëhet fjalë për anëtarësimin në NATO, për partneritetin për paqe dhe agjendën ndërkombëtare, ne jemi bashkë. Ka shumë gjëra që na ndajnë, por kur bëhet fjalë për këto çështje, ne jemi të bashkuar”, shkruan GazetaBlic.

“E para, jemi shumë të vetëdijshëm se sa e rëndësishme është paqja dhe stabiliteti, sepse kemi kaluar nëpër një luftë të tmerrshme, kemi pësuar numër të madh të viktimave, heronj, martirë, jemi krenarë me historinë tonë dhe jemi shumë krenarë që Ushtria Çlirimtare e Kosovës me ndihmën e NATO-së ia doli ta luftojë dhe përmbysë agresionin e fundit të regjimit të Millosheviqit më 1999”, tha Tahiri.

Ai mëtutje theksoi se cështja e dytë ndërlidhet me deklaratën e misionit të NATO+s, që ka për qëllim garantimin e lirisë dhe sigurisë së aleatëve nëpërmjet mjeteve politike dhe ushtarake.

“Zonja dhe zotërinj, ne kemi lindur me NATO-në, ne sot jetojmë me NATO-në dhe duam të jemi pjesë e NATO-së. Kjo është porosia ime për ju. Ushtria jonë që nga dita e parë ka bashkëpunuar me trupat e juaj, pavarësisht nëse e pranoni ose jo Kosovën. Para dy viteve, askush nuk do të besonte se kjo çfarë po ndodhë në Ukrainë do të ndodhte. Kufiri ynë me Serbinë dhe agresioni të cilin ata e kanë në Kushtetutën e tyre kundër vendit tonë është mjaftë serioze”, tha Tahiri.

Kreu i grupit parlamentar të AAK-së në fund nënvizoi se “anëtarësimi i Kosovës në NATO do të thotë më shumë siguri në Ballkanin Perëndimor, më pak ndikim nga Rusia dhe nga Kina”, shkruan GazetaBlic.