Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca, deklaroi se Kosova është radhitur “natyrshëm e fuqishëm” në krah të shteteve demokratike duke vënë sanksione ndaj Federatës Ruse pas agresionit ushtarak në Ukrainë.
Ai tha se vendi ynë është i vendosur për një bashkëpunim më të ngushtë dhe anëtarësim në NATO. Ai po ashtu u shpreh se se shqiptarët e Kosovës e dinë se në çfarë po kalon populli ukrainas pasi e kanë përjetuar në lëkurën e tyre pasi janë sulmuar nga Serbia para më shumë se dy dekadash.
Këto komente Konjufca i bëri në Seminarin e 102-të Rose-Roth i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, me temën “Integrimi euro-atlantik i Ballkanit Perëndimor: sfidat e zgjatura, realitetet e reja dhe perspektivat e ardhshme”, raporton eo.
“Republika e Kosovës natyrshëm dhe fuqishëm është rreshtuar me botën demokratike. Ne si shtet jemi absolutisht të koordinuar me politikën e sanksioneve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundër Federatës Ruse. Ne kuptojmë nëpër çka po kalon populli i Ukrainës si askush tjetër meqë vetë ishim një popull që u sulmua në vendin e vetë nga Serbia e Millosheviqit në vitin 1998. Edhe Millosheviqi mendonte se Kosova nuk ishte djepi i popullit që jetonte këtu por thoshte se ishte zemra e Serbisë. Ai mendonte që Kosova dhe populli i saj nuk duhej të ekzistonin, njëjtë mendon edhe Putini për Ukrainën”…
“Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për një bashkëpunim të ngushtë me Aleancën Veri-Atlantike. NATO-ja kontribuon drejtpërdrejt në sigurinë e shtetit tonë. Duke u nisur nga gjendja e sigurisë në botë, shtetet që kontribuojnë përmes trupave ushtarake në KFOR po e shtojnë edhe praninë e tyre këto ditët e fundit edhe në Kosovë. Kosova do t’i kryejë të gjitha reformat e nevojshëm që një ditë të bëhet anëtare e NATO-s. Së bashku do ta kthejmë edhe FSK-në në një ushtri bashkëkohore dhe të integruar plotësisht në NATO-n, aleancën më të fuqishme të shteteve demokratike”, tha Konjufca.