Shefi i Grupit Parlamentar të PDK, Abelard Tahiri, e ka lëshuar mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, në shenjë proteste për mosekzekutimin e pagave të mësimdhënëseve që ishin në grevë.
Ai tha se kjo parti do të dorëzojë kallëzim penal ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati për këtë çështje.
Tahiri madje ka thënë se nuk do të marrin pjesë në seanca duke thënë se nuk mund të sillen se kinse nuk po ndodh asgjë, kur ministri po e keqpërdor pozitën zyrtare.
“Lëshuam mbledhjen për mosekzekutimin e pagave për mësimdhënës. Ky është vendim i paligjshëm dhe vendim arrogant i ministrit. Ne nuk mund të sillemi në situatë normale kur kemi keqpërdorim të pozitës zyrtare. Deklaruam se nuk do të marrim në seanca. Sot do të ngrisim kallëzim penal ndaj ministrit Hekuran Murati”, tha Tahiri.
Ai theksoi se siç kanë paralajmëruar ditë më parë sot kanë ngritur kallëzim penal ndaj ministrit Hekuran Murati dhe ud. sekretarit të përgjithshëm, Enis Spahiu në Prokurorinë Speciale të Kosovës.
“Nuk do të marrim pjesë më tutje në këtë mbledhje në përgatitje të seancës së Kuvendit të Kosovës. Ashtu siç e kam lajmëruar do të ngrijmë kallëzim penal ud.sekretari i përgjithshëm i kësaj ministri, Enis Spahiu dhe Hekuran Murati, në prokurorinë speciale të Republikës së Kosovës. Në këto momente është duke u dorëzuar kallëzimi penal. Presim hapa të shpejt nga prokurorët special të kësaj çështje”, ka thënë ndër të tjera Tahiri.
Ndryshe, ditë më parë shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri kishte paralajmëruar kallëzim penal ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati nëse nuk i ekzekuton pagat për mësimdhënësit.


