Futbollisti nga Superliga e Kosovës, Ilir Krasniqi debutoi në ndeshjen e djeshme me fanellën e kombëtares së Kosovës.
Krasniqi ka shkëlqyer me paraqitjet e tij tek skuadra e Llapit dhe me shumë meritë arriti që ta veshë fanellën e “Dardanëve”.
Selektori i Kosovës, Alain Giresse vendosi që të aktivizojë Ilir Krasniqin dhe Lindon Emërllahun në minutat e fundit, duke gëzuar lojtarët dhe të gjithë të pranishmit në stadium, pasi tashmë ka mundësi edhe për lojtarët që vijnë nga Superliga e Kosovës.
Në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’, Krasniqi tha se debutimi i dha ndjenja që nuk i kishte përjetuar asnjëherë më parë.
“Ishte një ndjenjë që nuk e kam përjetuar më parë! U ndjeva i lumtur, krenar dhe pata nderin të jem pjesë e Kosovës A. Këto ditë stërvitje me lojtarë të mëdhenj ishin një përvojë e mirë për ne, u mirëpritëm nga ata dhe na motivuan“, tha fillimisht Krasniqi.
Më pas, ai foli edhe për ftesat e tjera që mund të vijnë në të ardhmen nga selektori për futbollistët nga Superliga e Kosovës.
“Uroj dhe shpresoj shumë që të ftohen sepse kemi shumë lojtarë të mirë që mund të japin shumë për kombëtaren. Është një ëndërr e çdo lojtari, shpresoj që në të ardhmen të kemi më shumë ftesa për futbollistët e Superligës tonë”, përfundoi ai për ‘GazetaBlic Sport’.



