Lajme

Ambasada e SHBA në Rusi: Amerikanët menjëherë ta braktisin Rusinë

09/28/2022 15:31
nga:Astrit Gashi

Tensioni midis Rusisë dhe vendeve perëndimore është sigurisht në kulmin e saj nga fundi i Luftës së Ftohtë, ndoshta nga kriza e Kubës që rrezikoi përballjen direkte midis Moskës dhe Uashingtonit.

Ndërkohë që fushëbeteja ndodhet në Ukrainë, tashmë përballja duket më e gjerë. Lajmi i sabotazhit të dyshuar të gazsjellësit Nord Stream që furnizon pjesë të mirë të Evropës me gazin rus, duket sikur i ka shtuar çështjes delikate edhe një tjetër element që po precipiton situatën.

Një sinjal për këtë situatë është lajmërimi i sotëm i ambasadës amerikane në Moskë, që ka ftuar shtetasit e saj të braktisin menjëherë Rusinë.

“Shtetasit e SHBA-së nuk duhet të udhëtojnë në Rusi dhe ata që jetojnë ose kanë udhëtuar aty duhet të lejnë vendin menjëherë, duke përdorur opsionet e pakta komerciale që mbeten”, shkruhet në një notë informative urgjente të ambasadës.