Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kujtuar 24 vjetorin e masakrës në fshatin Abri e Epërme të Drenasit, ku u masakruan 23 anëtarë të familjes Deliu.
Ajo përmes një postimi në Facebook ka shkruar se krimet e luftës në Kosovë janë plagë për të cilat drejtësia është e vetmja rrugë që të zbehë sado pak dhimbjen për ta.
“Do të angazhohemi për drejtësinë për të gjithë viktimat e krimit, duke kujtuar e përkujtuar secilën ngjarje tmerruese të cilën e përjetoi populli shqiptar nga regjimi i Serbisë”, ka shkruar ajo në Facebook.
Postimi i saj:
Sot, në Abri përkujtojmë viktimat e një masakre të tmerrshme që ndodhi 24 vite më parë.
Fëmijë, gra, të rinjë, pleq, asnjërit prej tyre nuk iu kursye jeta nga xhandarmëria serbe, e cila kishte nisur spastrimin etnik, në cak rajonin e Drenicës, për të vazhduar gjithandej trojeve të Kosovës, me sulme veçmas ndaj popullësisë civile, të pambrojtur.
Krimet e luftës në Kosovë janë plagë për të cilat drejtësia është e vetmja rrugë që të zbehë sado pak dhimbjen për ta.
Do të angazhohemi për drejtësinë për të gjithë viktimat e krimit, duke kujtuar e përkujtuar secilën ngjarje tmerruese të cilën e përjetoi populli shqiptar nga regjimi i Serbisë.


