Lajme

“Lufta e Kurtit me praktikuesit e fesë”

09/25/2022 19:40
nga:Gazeta Blic

Zyrtari i AAK-së, Gazmend Syla ka theksuar se Kurti ka filluar luftë me praktikuesit e fesë.

“Kurti, për interes të votave dhe për të fituar sa më bindshëm pushtetin, kishte hedhur premtime të mëdha aty këtu nëpër tubime, e më e keqja, kishte bërë marrëveshje të fshehura me imamë të ndryshëm anekënd vendit, të cilët papritmas, u shndërruan në avokatë të një partie e cila bazën e ka mbi ateizmin dhe neokomunizmin, apo siç e preferon t’i thotë Kurti “socialdemokracinë”, ka shkruar ai.

Postimi i plotë:

Lufta e Kurtit me praktikuesit e fesë.

Kësaj radhe po shkruaj më gjatë sesa që është zakoni im. Por tema është komplekse dhe kërkon një trajtim pak më të gjerë.
Një shumicë absolute e jona, shqiptarëve të Kosovës, jemi myslimanë, secili në mënyrën e vet, por ata që unë i përmenda në titull, janë ata që kujdesen më shumë për zbatimin e detyrave dhe obligimeve të fesë.
Nuk është kohë e zgjedhjeve, e as ndonjë fushatë tjetër, por qëllimi se po i shkruaj këta rreshta është sepse gjatë tërë jetës sime kam pasur një afërsi me shumë persona që jetojnë sipas rregullave islame, e shoqërinë me ta e kam kultivuar në cilëndo pozitë që e kam ushtruar.
Kurti, për interes të votave dhe për të fituar sa më bindshëm pushtetin, kishte hedhur premtime të mëdha aty këtu nëpër tubime, e më e keqja, kishte bërë marrëveshje të fshehura me imamë të ndryshëm anekënd vendit, të cilët papritmas, u shndërruan në avokatë të një partie e cila bazën e ka mbi ateizmin dhe neokomunizmin, apo siç e preferon t’i thotë Kurti “socialdemokracinë”. Në këtë mashtrim, kanë rënë edhe shumë imamë të nderuar, me të cilët kam miqësi të mirë, miqësi që e kam ruajtur përtej politikës.
Të paktën në Prishtinë e në Pejë, por edhe qendra të tjera të Kosovës, kanë qenë pikërisht praktikuesit e fesë që e kanë bërë dallimin e votave të VV-së në krahasim me partitë e tjera në zgjedhjet e 14 shkurtit. Këta nuk e lidhën angazhimin e tyre me islamin politik, por me ndryshimin që e premtoi Kurti, e ai i shfrytëzoi për vota e tani po i hedh për tokë, duke e lidhur ndershmërinë e parltikuesve të fesë me islamin politik dhe ekstremizmin.
Sot, po mbahen zgjedhjet e brendshme në VV. Nga sot po ashtu, zyrtarisht fillon largimi apo moslejimi që myslimanët e devotshëm, të zgjedhen në udhëheqjen e kësaj partie anekënd vendit. Janë dhjetëra aktivistë të VV-së, që janë ndaluar nga kandidimi, duke bërë të qartë se myslimanët, sidomos ata që së bashku me deputetët e AAK-së e të tjerë, kundërshtuan ligjin që lejonte martesat brenda gjinisë. Ata po goditen prapë, për tu bërë e qartë se në “socialdemokracinë” e Kurtit, në partinë e majtë që ata e votuan më 14 shkurt, nuk ka vend për praktikuesit e fesë dhe konservatorët.
Shkelzen Bislimi nga Lipjani, që u eliminua nga gara për të parin e VV-së në këtë qendër, tha se VV po vetshkatërrohet dhe se “nuk mund të qëndroj në një organizatë ku nuk respektohen bindjet fetare, në një organizatë islamofobësh”.
Fatin e njëjtë e ka edhe një kundërshtues tjetër i ligjit për martesat brenda gjinisë së njëjtë, deputeti Eman Rahmani. Atij iu ndalua edhe fjala në Komisionin për Arsim, e drejtë kjo që një deputeti as në diktatura nuk i mohoet. Një fat i ngjashëm me gjasë do t’i godas edhe kundërshtuesit e tjerë të atij ligji, deputetëve që disa prej tyre i kam pasur edhe kolegë në mandatin e kaluar, Labinotë Demi, Burim Karameta, Visar Korenica, Driton Hyseni, Fatmir Humolli, Fitim Haziri, Gazmend Gjyshinca, Drita Millaku e të tjerë. Fat i ngjashëm do të ketë në Pejë edhe djali i Agushollëve, që mori mbi 4 mijë vota në Pejë, e në zgjedhjet e brendshme në qytetin tim, asnjë nga kjo familje e nderuar nuk është në kandidim. Nuk është në lista as një aktivist i ri nga familja Pushka, për shkak se kjo është familje pjesëmarrëse e UÇK-së dhe praktikuese e fesë.
Kurti, ashtu si edhe Hashim Thaqi dikur (kur bëri koalicion me Ferid Aganin e Gëzim Kelmendin), po e vazhdon avazin e politikanëve që mashtrojnë besimtarët e u kthejnë shpinën menjëherë pasi e sigurojnë pushtetin. Ndërsa, i vetmi politikan që asnjëherë nuk ka dhënë premtime të mëdha, por as nuk ka lejuar të keqpërdoret feja për qëllime elektorale, Ramush Haradinaj, mbetet edhe më tutje “i urrejturi” prej besimtarëve të devotshëm, për shkak të propagandës shumë vjeçare të mashtrimit dhe për shkak të qëndrimeve të tij të qarta kundër terrorizmit botëror, por asnjëherë kundër fesë për të cilën gëzon respektin më të madh.