Dy policë u goditën me thikë sot në qendër të Londrës dhe aktualisht ndodhen në spital, njoftoi policia e Londrës, duke shtuar se një person i dyshuar për plagosjen e oficerëve të policisë dhe sulmin ndaj një punonjësi të ambulancës është arrestuar.
“Të premten, më 16 shtator, rreth orës 06:00, policia kapi një burrë me thikë në zonën e Leicester Square. Dy oficerë kanë pësuar plagë me thikë dhe aktualisht ndodhen në spital duke marrë trajtim,” tha policia në një deklaratë.
I arrestuari gjithashtu është transportuar në spital dhe aktualisht ndodhet aty, thuhet në njoftimin për shtyp. Policia bën me dije se po vijojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Kryetari i Bashkisë së Londrës, Sadiq Khan, tha se sulmi nuk ishte i lidhur me terrorizmin dhe se oficerët e plagosur nuk ishin në rrezik për jetën.


