Sporti

Zyrtare: Shqipëria do të luajë ndeshje miqësore me Arabinë Saudite

09/14/2022 11:48
nga:L J

Kombëtarja shqiptare e futbollit do të luajë një miqësore me Arabinë Saudite më 26 tetor 2022. Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se është arritur marrëveshja me Federatën e Futbollit të Arabisë Saudite për të luajtur një ndeshje në qytetin e Abu Dabit, në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ndërkaq, ora dhe stadiumi ku do të luhet kjo miqësore mbeten ende për t’u përcaktuar pas diskutimeve finale mes dy federatave. Kjo do të jetë ndeshja e parë në histori mes Shqipërisë dhe Arabisë Saudite. Dy kombëtaret respektive nuk janë përballur më parë në futboll.

Në muajt e ardhshëm, deri në fillimin e Botërorit “Katar 2022”, Shqipëria do të luajë edhe miqësore të tjera sipas kalendarit të FIFA-s, teksa FSHF po punon për të zyrtarizuar edhe rivalët e radhës.

Kujtojmë se në muajin shtator, kombëtarja shqiptare do të luajë dy përballjet e fundit të grupit në “Nations League”. Më 24 shtator, kuqezinjtë do të përballen në transfertë me Izraelin, ndërsa më 27 shtator do të presë Islandën në “Arena Kombëtare” të Tiranës. Më pas do të jetë radha e ndeshjeve miqësore.