Lajme

Gërvalla flet për largimin e Kica-Xhelilit: Nuk e di çka ndodhi me deputeten, ka pasur mundësi të pakufizuara në Guxo

09/13/2022 22:02
nga:G B

Kryetarja e Listës Guxo, Donika Gërvalla, ka folur për largimin e deputetes Doarsa Kica-Xhelili nga kjo parti për të kaluar në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Gërvalla ka thënë nuk e di pse deputetja Kica-Xhelili iku nga Guxo, pasi që sipas saj, brenda kësaj partie, ajo i ka pasur mundësitë të pakufizuara.

“Nuk e di çka ndodhi me deputeten t’ju them të drejtën, sepse unë deputeten Kica-Xhelili e kam parë si një deputete me shumë perspektivë, e kam parë si një deputete që edhe para zgjedhjeve i ka pasur komentet, argumente të ngjashme, qoftë me Presidenten Osmani, qoftë me atë çfarë unë kam shkruar në të kaluarën, qoftë me idetë dhe konceptet që i ka sjellë Fatoni, i ka sjellë Haxhi Avdyli dhe deputetë të tjerë që i kemi, por unë nuk e di se çfarë ndodhi me deputeten Xhelili. Deputetja Kica-Xhelili i ka pasur mundësitë brenda Listës Guxo të pakufizuara, me aq sa kemi pasur ne potencialin tonë”, ka deklaruar Gërvalla në Klan Kosova.

Ndryshe, javën e kaluar, deputetja Kica-Xhelili ka folur për arsyet pse e la Guxo për t’iu bashkuar LDK-së.

Si një ndër arsyet e para që ka dhënë deputetja, është mungesa e një identiteti të partisë ku përkiste. Ajo ka aluduar se pas shkuarjes në Presidencë të Vjosa Osmanit, Guxo humbi orientimin.

Ajo ka thënë se vlerë e vetme që mbeti në Guxo është “se ishim rugovistët e vërtetë”. Por kjo nuk ishte e mjaftueshme, ka shtuar ajo.