Lajme

Vazhdojnë pakënaqësitë në VV, kandidatit për kryetar qendre në Podujevë i refuzohet kandidatura

09/10/2022 16:36
nga:Genita C

Anëtari i Vetëvendosjes në Podujevë, Bedri Maçastena, thotë se subjekti politik i ka refuzuar aplikimin për kryetar të qendrës së VV-së në Podujevë.

Maçastena ka bërë një postim në Facebook, ku ka thënë se Komisioni i Përgjithshëm Zgjedhor i VV-së e ka arsyetuar vendimin për refuzim se kandidatura e tij nuk është në përputhje me kriteret e deklaratës së bashkëngjitur për kandidatët për pozicionet drejtuese në Vetëvendosje.

“Të dashur aktivistë, Po, më është refuzuar aplikimi për të drejtën statutore të kandidimit e cila thotë: “Çdo aktivist i një Qendre ka të drejtë të kandidojë për pozicionin e Kryetarit të Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE!.” Ndërsa në vendim të Komisionit Zgjedhor të Përgjithshëm së LVV-së thuhet: “Refuzohet kandidatura e Bedri Maçastena për Kryetarë te Qendrës së LVV në Besianë, sepse nuk është në përputhje me kriteret e deklaratës së bashkëngjitur për kandidatët për pozicionet drejtuese në LVV””, ka shkruar ai.

Ai e ka cilësuar këtë si vendim skandaloz të subjektit politik dhe se në atë vendim kanë ndërhyrë individë që mbrojnë interesat e individëve të tjerë.

“Këtë vendim e vlerësoj skandaloz, jo vetëm sepse është në kundërshtim me parimet të cilat aplikohen në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, por edhe sepse ka pasur ndërhyrje prej individëve për t’i mbrojtur interesat e individëve të tjerë që vazhdimisht po e dëmtojnë Lëvizjen. Ky vendim po e ndalon zhvillimin e demokracisë, jo duke ma ndaluar mua garën por duke e ndaluar të zhvillohet një garë në mes dy kandidatëve. Kriterin në të cilin thirret KZP, unë Bedri Maqastena e kam plotësuar dhe e kam dëshmuar me punën dhe aktivitetin tim tash e 1 dekadë në Lëvizjen VETËVENDOSJE!. I vetmi “kriter” që është shkelur nga ana ime është mosbindja për t’u renditur në anën e atyre që e shkelin ligjin e që e kanë profesion e pasion, e që fatkeqësisht po gjejnë mbështetje te individët vendimmarrës brenda Lëvizjes! Kundër kandidati im ju frikësua garës e konkurrencës. Ai vazhdoj me avazin e vjetër duke kërcënuar, shantazhuar dhe në fund duke keqinformuar”, ka shkruar Maçastena.

Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe ish-kandidati i VV-së kryetar në zgjedhjet e vitit 2017, Ajet Potera. Ai ka thënë se duhet të jetë ndonjë gabim i KZP-së, sepse ai që nuk i plotëson kushtet është kundërkandidati i Maçastenës.

“Kam dëgjuar e lexuar ngjarje të tilla e ndërhyrje nëpër subjekte tjera politike por jo në LVV! Unë mendoj se KZP e ka ngatërruar emrin, sepse ai që nuk i plotëson kriteret e kërkuara është kundër kandidati i Bedri Maçastenës!”, ka shkruar Potera në ‘Facebook’.