Viteve të fundit në Serie A për titull zakonisht kanë luftuar Juventus, Napoli, Milan dhe Inter, por këtë sezon në garë pritet të hyj edhe Roma. Të paktën kështu, mendon mbrojtësi i Fiorentinës, Igor Julio.
Braziliani në një intervistë për Tuttosport, deklaroi se me nënshkrimin e argjentinasit, Paulo Dybala kryeqytetasit do të luftojnë për Scudetto.
Ai mendon që në garë për titull së bashku me ‘Giallorosët’ do të jenë Milan dhe Inter, duke përjashtuar në një mënyrë nga gara Juventusin dhe Napolin.
”Juventus janë duke rindërtuar skuadrën, por ata mbeten gjithmonë të fortë. Nuk e kisha imagjinuar kurrë që Juve do të hiqte dorë nga një nga simbolet dhe idhujt e saj Paulo Dybalan. Me transferimin e tij, Roma do të luftojë për Scudetton së bashku me Milanin dhe Interin,” tha ai.
Sinjalet e para për një sezon të mrekullueshëm Roma i ka dhënë në këto ndeshjet e para. Në përballjet me Salernitanan, Cremonesen, Juventusin dhe Monzan ata kanë arritur t’i grumbullojnë dhjetë pikë.
Aq sa ka edhe Atalanta me të cilën ndanë pozitën e parë, respektivisht të dytë. Skuadra e drejtuar nga Jose Mourinho këtë të diel do të udhëtojë në ‘Dacia Arena’ ku do të ballafaqohet me Udinesen.


