Lajme

Reagimi absurd: Realizoi vetëm 1% të projekteve kapitale, Hekuran Murati mundohet ta “demantoj” raportin e Ministrisë që vetë e drejton

08/14/2022 13:19
nga:Gazeta Blic

Pas raportimit të Gazeta Blic se ministri i Financave Hekuran Murati, realizoi vetëm 1 për qind nga kategoria e investimeve në projekte kapitale, ka ardhur reagimi i këtij të fundit.

Ndonëse nuk e ka “demantuar” raportimin e Gazeta Blic, i cili thirret në raportin e Thesarit të shtetit, që është pjesë e ministrisë që drejton Murati, ai ka folur për miliona të shpërndarë.

Madje, Murati duke mos pasur asnjë argument, ai ka akuzuar opozitën dhe mediat për fushatë agresive.

Kjo është tabela e publikuar nga vetë Ministria e Financave, ku Murati ka realizuar vetëm 1% të projekteve kapitale, për të cilën ka reaguar:

“Krahu i djathtë” i Albin Kurtit realizon vetëm 1% të projekteve kapitale


Reagimi i plotë dhe pa ndërhyrje i Muratit:

Pagesat nga buxheti i shtetit për periudhën e parë 6-mujore të vitit 2022 janë 1 miliardë e 38 milionë euro, më e larta ndonjëherë.

Me taksat që mbledh dhe rishpërndan, shteti është një kontribues i rëndësishëm në ekonominë e vendit. Pagesat që shteti bën, qoftë në formë të pagave, pensioneve, mallrave që blen, apo edhe investimeve kapitale, që të gjitha kontribuojnë në ekonominë e vendit.

Ditëve të fundit, nga opozita por edhe nga disa media, kemi parë një fushatë agresive e cila pretendon se qeveria ka bllokuar ekonominë, sepse nuk po shpenzon. Mirëpo, të dhënat, nga po ai raport të cilit i referohet opozita, tregojnë të kundërtën.

Nga grafiku më poshtë, mund të shihet se periudha 6-mujore e parë e vitit 2022, për sa i përket shpenzimit është më e lartë se të gjitha vitet paraprake, madje edhe më e lartë se viti 2021, kur kishte edhe zgjedhje.

Pra, argumenti se qeveria nuk po e mbështetë ekonominë e vendit, nuk qëndron aspak, sepse sic edhe mund të shihet nga grafiku, shpenzimet dhe pagesat nga buxheti i shtetit janë më të lartat ndonjëherë.

Po, për opozitën ndoshta edhe nuk konsiderohet zhvillim ekonomik kur një nënë me shtesat që merr për fëmijët blen qumësht nga fermeri i fshatit, sepse opozita më me dëshirë ato para do t’ia jepte një kompanie në emër të punëve shtesë pa asnjë procedurë a bazë ligjore, dhe atë shpenzim do t’a quante investim kapital e zhvillim ekonomik.

Për opozitën ndoshta mbështetja për subvencionimin e kredive investuese për prodhuesit vendorë nuk është zhvillim ekonomik, sepse në buxhet kjo mbështetje figuron si shpenzim tek kategoria Subvencione e Transfere, e jo si Shpenzim Kapital. Dhe këtë opozita e quan skemë sociale. Sepse për opozitën, zhvillim ekonomik është vetëm atëherë kur paratë e taksapaguesve ua jep supermarketeve.

Për opozitën as rritja e subvencioneve për bujqit nuk është mbështetje e ekonomisë, sepse po të pyetej opozita, më mirë është të ipen 12 milionë euro për një tender të vetëm për konsulencë, sesa të mbështeten bujqit për sigurimin e bukës së vendit.

Në këtë pikëpamje është e qartë se kemi dallime.

Por kjo gjë tashmë është përcaktuar me 14 shkurt 2021. Qytetarët kanë zgjedhur modelin zhvillimor që kemi premtuar ne, dhe atë po e realizojmë.

Po, edhe investimet kapitale do të bëhen.

Njësoj sikur u bë vaksinimi, për të cilin thanë se nuk do të bëhej kurrë.

Njësoj sikur u bënë shtesat për fëmijë e për nënat lehona, për të cilat thanë se nuk keni buxhet.

Njësoj sikur po forcohet ushtria për të cilën thanë se nuk e ka të lejuar të blejë armatim.

Njësoj sikur që do të bëhen të gjitha ato që kemi premtuar. Vetëm duhet kohë e durim.

Të diele të këndshme!

Ndërkohë, katër ministra nga kabineti Kurti nuk kanë arritur ta realizojnë asnjë projekt.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ajo e Tregtisë, Rozeta Hajdari, ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe ai i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka nuk e kanë realizuar as edhe një projekt, shkruan Gazeta Blic.

Sipas raportit të Thesarit të cilin e ka siguruar Gazeta Blic, Ministria për Khtim dhe Komunitete ka arritur që të realizoj më së shumti projekte kapitale.Pasojnë Ministria e Infrastrukturës e drejtuar nga Liburn Aliu me 15% të realizimit të projekteve kapitale, ajo e Arsimit, e Bujqësisë…

Ndërkohë, në nivel vendi vetën 11 për qind është arritur realizimi i projekteve kapitale.