Lajme

Bislimi shpjegon reciprocitetin për dokumentet dhe targat

08/05/2022 21:58
nga:Astrit Gashi

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, shpjegoi situatën e fundit me targa dhe dokumentet hyrje-dalje, me ç’rast u shprehse dy vendimet e që janë marrë për t’u zbatuar nga 1 gushti, përbejnë zbatim të disa elementeve që është dashur të zbatohen vite më parë.

Ai thotë se njëra prej tyre është dashur të zbatohet më shumë se një dekadë me parë, por sipas tij, nuk ka pasur vullnet nga pala kosovare, që këto vendime të zbatohen.

“Janë vendime që janë nënshkruar në Bruksel, por që janë zbatuar njëanshëm vetëm nga ana e Serbisë”, thotë Bislmi në RTK.

“Dokumenti për hyrje/dalje është dashur të aplikohet që nga gushti i vitit 2011. Serbia ka aplikuar, njëherësh prapë në kundërshtim me provizionet e marrëveshjes së 2 korrikut 2011, e Kosova ka hezituar apo nuk ka treguar gatishmëri që të njëjtin ta implementoë dhe kjo është dashur të fillojë nga 1 gushti, dhe ka filluar faktikisht”, deklaroi Bislimi.

Sipas zëvendëskryeministrit të Kosovës që është edhe shef i delegacionit kosovar për dialogun me Serbinë, vendimi i dytë që ka të bëjë me regjistrimin apo konvertimin e targave të veturave ilegale, në vetura me tabela RKS, sipas marrëveshjeve të Brukselit, ky proces është dashur të përmbyllet me 15 janar të vitit 2018.

“Vendimet janë pasojë e paaftësisë, mos vullnetit të qeverive të mëparshme që t’i jetësojnë ato, që vetë i kanë nënshkruar në Bruksel”, thotë Bislimi.

Ai tregon se ka pasur presion edhe në të kaluarën që të mos zbatohen këto vendime për shkak të mënyrës se si funksionon shteti serb, në zbatimin e marrëveshjeve.

“Nuk mund të themi se në të kaluarën ka pasur presion, për arsye se nuk janë marrë vendimet. Ne kemi marrë vendimin, kemi caktuar datat dhe kemi qenë të gatshëm si me resurse humane ashtu edhe me teknologji, që procesi të fillojë në kohë, dhe po ashtu kemi marrë masa që qytetarët të informohen për këto masa”, thotë ai.

Ai deklaron se vendimet që qeveria e Kosovës ka marrë në shtator të vitit 2021, për vendosjen e reciprocitetit me targa, ka pasur një brengë të QUNT-it se i njëjti ishte jo plotësisht i koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare.

“Në të njëjtën kohë ka qenë ndoshta i tillë që nuk ka lejuar një hapësirë kohore të mjaftueshme për akomodim të qytetarëve me vendimet e reja”, rikujton ai.

“Kësaj radhe ne i kemi adresuar këto brenga dhe fillimisht jemi takuar me QUNT-in dhe me Bashkimin Evropian, ku i kemi njoftuar për masat që duhet t’i ndërmarrim dy-tre ditë para se të merren vendimet, dhe pas marrjes së vendimeve, kemi lënë 32 ditë kohë për informim të qytetarëve, në mënyrë që asnjëri prej argumenteve të mos mund të përdoret serish”.