Lajme

Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit se trafikoi një vajzë me probleme psiqike duke i siguruar klientë për shërbime seksuale

08/03/2022 15:28
nga:N M

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të pandehurit V.A, për veprën penale “Trafikim me njerëz”.

Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate për medie nga kjo gjykatë.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri e ka trafikuar për qëllime të shfrytëzimit seksual të dëmtuarën/viktimën, me të meta psiqike, në atë mënyrë që e njëjta të ofrojë shërbime seksuale me pagesë personave të ndryshëm. Fillimisht duke e josh për lidhje dashurie me premtimin për martesë dhe pastaj të njëjtën e ka shfrytëzuar duke i siguruar klientë për shërbime seksuale në këmbim të pagesës”, thuhet në njoftim.

Me këto veprime, i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale “Trafikim me njerëz”, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

“Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi që masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme në këtë fazë të procedurës penale”, thuhet tutje.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj të këtij vendimi mbi caktimin e paraburgimit në Gjykatën e Apelit. “Betimi për Drejtësi”