Skuadra e Shkupit sonte do të përballet me Dinamo Zagrebin në stadiumin “Todor Proeski” në Shkup.
Ekipi i Shkupit e mirëpret ekipin e Kroacisë, Dinamo Zagreb me fillim nga ora 21:00, në ndeshjen kthyese të fazës së dytë të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve, shkruan GazetaBlic Sport.
Gazetari i njohur shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Aziz Sahiti tha për ‘GazetaBlic Sport’ se Shkupi i ka mundësitë, por që nuk duhet të jemi shumë euforikë. Ai potencoi poashtu se pavarësisht rezultatit të ndeshjes së sotme, skuadra shqiptare nga Maqedonia e Veriut nuk do të jetë humbëse, sepse i vazhdon garat në Evropë.
“Vetë arritja në këtë fazë të eliminatoreve të Ligës së Kampionëve dhe përballja me një gjigant si Dinamo Zagreb është histori më vete për Shkupin. Mendoj se nuk duhet të jemi shumë euforikë dhe nuk duhet t’i gënjejë shumë rezultati i ndeshjes së parë që ishte historik, por në fakt nuk ishte i rastësishëm, sepse Shkupi tregoi forcë dhe maturi për të marrë atë barazim. Dinamo është padyshim favorit, por futbolli është një lojë dhe bazuar në atë që Shkupi tregoi në Zagreb, besoj se mund të bëj ndonjë befasi sonte. Por, edhe në rast eliminimi, gjithsesi se Shkupi nuk është humbës, pasi vazhdon aventurën evropiane edhe më tej”, tha fillimisht Sahiti.

Më pas, gazetari Sahiti foli edhe organizmin e tifozëve, ku tha se “Shvercerat” janë mobilizuar si asnjëherë më parë për këtë takim dhe raportohet se janë mbi 15 mijë bileta të shitura deri më tash.
“Për ndeshjen Shkupi – Dinamo Zagrebi, tifozët “Shvercerat” janë mobilizuar dhe kanë bërë organizim përfekt si asnjëherë më parë. Ata gjithmonë kanë qenë lojtari i 12-të i Shkupit dhe besoj që edhe sonte do të jenë edhe më të fuqishëm. Gjithashtu në stadium pritet të ketë të pranishëm edhe nga qytete tjera të Maqedonisë që do të vijnë në përkrahje të Shkupit në këtë ndeshje shumë të rëndësishme. Numri i shitjes së biletave nga raportimet e fundit thuhet se është mbi 15 mijë”, përfundoi ai.

/GazetaBlic Sport/


