Lajme

Mashtrimi i madh nga ana e Kremlinit?

07/26/2022 09:56
nga:Astrit Gashi

Rusia pretendon se ka arsenalin më të madh bërthamor në botë dhe nuk ka frikë ta përdorë atë. Megjithatë, askush më nuk i beson Moskës.

Pretendimi se Rusia ka arsenalin më të madh bërthamor është përsëritur prej vitesh dhe zyrtarët më të lartë rusë kanë kërcënuar drejtpërdrejt ose indirekt perëndimin me këto armë që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

Por, muajt e fundit Moska ka paraqitur dhe shpalosur aq shumë gjëra të pavërteta, sa që besueshmëria afatgjatë e pushtetarëve në Rusi është dëmtuar përgjithmonë.

Nga ana tjetër, vendet perëndimore po testojnë gjithnjë e më shumë “vijat e kuqe” ruse, duke dërguar pajisje ushtarake gjithnjë e më të avancuara dhe të sofistikuara në Ukrainë, të cilat Moska pretendonte në ditët e para të luftës se furnizimi i Ukrainws me armatim do të interpretohej si një deklaratë lufte nga fuqitë perëndimore, por as kjo nuk ndodhi.

Pra, tani pyetja është – a ka Rusia arsenalin më të madh bërthamor në botë apo ky pretendim është thjesht një tjetër gënjeshtër e Kremlinit?
Sipas një analize të Institutit Ndërkombëtar të Hulumtimit të Paqes në Stokholm (SIPRI), një nga institucionet kryesore në botë që monitoron tendencat e armëve bërthamore, Federata Ruse ka gjithsej 5977 koka të llojeve dhe madhësive të ndryshme në inventarin e saj, por kjo shifër gjithashtu përfshin koka më të vjetra, “të pensionuara”, koka bërthamore që në të vërtetë presin të çmontohen.

Forcat e armatosura ruse kanë në fakt një rezervë prej 4,477 kokash “të përdorshme” bërthamore. Shumica e këtyre armëve janë në ruajtje dhe konsiderohen rezervë – rreth 2889 janë në ruajtje dhe nuk mund të përdoren pa përgatitje komplekse.

Vetëm 1588 koka luftarake bërthamore janë operacionale – që do të thotë se ato janë tashmë brenda raketave balistike ndërkontinentale, në nëndetëse ose në platforma të lëvizshme lëshimi, ose në formën e bombave ose raketave të ruajtura në baza ajrore, të cilat mund të përdoren për të armatosur bombarduesit rusë ose avionët luftarakë.

Prandaj, kur Kremlini pretendon se Rusia ka arsenalin më të madh bërthamor në botë, ky pretendim është vetëm pjesërisht i vërtetë, ngase kur numërohen vetëm kokat operacionale bërthamore- ato që janë të gatshme për përdorim në afat të shkurtë Shtetet e Bashkuara në fakt kanë një arsenal më të madh bërthamor në dispozicion.

SHBA ka gjithsej 1744 koka operative, 1964 në rezervë dhe një inventar total prej 5428 kokash bërthamore.