Lajme

Gazetari shqiptar që ofendoi kosovarët: Kam marrë 320 kërcënime

07/25/2022 21:51
nga:Astrit Gashi

Gazetari nga Shqipëria, Bledi Mane, ka reaguar përsëri pasi ofendoi kosovarët duke thënë se “nuk e përdorin vajin e ullirit”.

Në një prononcim në T7, Mane tha se ka marrë qindra kërcënime pas deklaratës së tij lidhur me kosovarët.

Për më tepër, ai shtoi se nuk e ka ditur që debati do të arrijë deri te nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, e cila reagoi ditën e djeshme.

“Deri më tani kam marrë 320 kërcënime dhe e kam vërejtur që kërcënuesit kanë qenë që as nuk dinë të gatuajnë. Kam marr kërcënime që janë anonimë. Në përgjithësi ishin kërcënues që nuk dinë të gatuajnë. Konotacioni i këtij debati nuk ma priste mendja që do të zhvillohej kaq furishëm aq sa një nënkryetare e PDK-së, zonja Vlora Çitaku, më bëri përshtypje se do të kishte një hendek kulturor mes Kosovës dhe Shqipërisë”, deklaroi Mane.

“Mendova se Kosova do të ishte më qytetare. Pash që nga ana e Kosovës, ju nuk jeni mbrapa me kërcënimet. Prisja debate nga shefa kuzhinash”, shtoi ai.