Lajme

Byroja Shtetërore/ Kryeziu: Duket se kemi qeveri të paaftë për të hartuar ligje!

07/21/2022 22:58
nga:G B

Ismet Kryeziu drejtor i KDI-së, ka reaguar pas deklaratës së VV-së se në lexim të dytë do të përfshihen rekomandimet e  komisionit të Venecias në projektligjin për Byronë Shtetërore, raporton Gazeta Blic.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se nëse ndodh kështu, nënkupton se kemi qeveri të paaftë për të hartuar ligje dhe nëse është kështu, çfarë do të ndodhë me ligje tjera që procedohen vazhdimisht në Kuvend dhe nuk i nënshtrohen komisionit të Venecias.

Ai ka thënë se qeveria duhet të kontraktojë ekspertë te fushave dhe të mos rrezikojë që secila nismë ligjore të jetë kërcënuese për të drejtat e njeriut dhe standardet kushtetuese, nëse nuk ka mjaftueshëm ekspertë të tillë.

Postimi i tij i plotë:

Ligji për Byronë, sipas grupit parlamentar të VV-së, gjatë punës së komisionit parlamentar dhe gjatë leximit të dytë do t’i përfshijë të gjitha rekomandimet e komisionit të Venecias.

Nëse do të ndodhte kështu?! Kjo bën të duket se kemi një qeveri të paaftë për të hartuar ligje! Një qeveri që imponon ligje jo cilësore përmes të cilave potencialisht cenohen të drejtat e njeriut dhe standardet kushtetuese.

Nëse kemi një cilësi të tillë legjibërëse të qeverisë, atëherë çfarë do të ndodhë me shumë ligje të tjera që po procedohen në përditëshmëri në kuvend e që nuk i nënshtrohen komisionit të Venecias?! A po e rrezikojmë bazën ligjore të shtetit me ndryshime dhe ligje të reja të cilat mund të jenë në kundërshtim me parimet e të drejtave të njeriut dhe standardet kushtetuese?!

Nëse qeveria nuk ka mjaftueshëm ekspertizë dhe ekspertë ligjor, është mirë të kontraktojë ekspertë te fushave dhe të mos rrezikojë që secila nismë ligjore të jetë kërcënuese për të drejtat e njeriut dhe standardet kushtetuese.