Sporti

Gazetari i Marcas: Muriqi ka marrë vendimin më të mirë në karrierë, ai është idhulli i tifozëve të Mallorcas

07/21/2022 12:49
nga:L J

Një dashuri që lind, nuk shuhet kurrë.

Gjithçka e kryer, Vedat Muriqi do të transferohet tek skuadra spanjolle që garon në La Liga, Mallorca.

Një histori dashurie mes sulmuesit kosovar dhe ekipit spanjoll lindi në gjashtë muajt e fundit, kur Vedat Muriqi u huazua tek Mallorca dhe bëri për vete një qytet të tërë. Me angazhimin, golat dhe paraqitjet e tij, Vedat Muriqi u shndërrua në një lojtar kyç dhe ndihmoi skuadrën të shpëtonte nga rënia në kategorinë e dytë të futbollit spanjoll.

E tashmë historia e Vedat Muriqit me Mallorcan do të vazhdojë edhe për shumë kohë, pasi sulmuesi do të nënshkruajë kontratë katër vjeçare me klubin dhe do kompletojë transferimin e tij për 9 milionë euro gjatë ditës së nesërme.

Gazetari i Marcas dhe FutbolMallorca, Juanmi Sanchez thekson se Vedat Muriqi ka bërë zgjedhjen më të mirë në karrierë që ka vendosur të transferohet tek Mallorca, pasi sipas tij ai është idhulli i tifozëve të klubit spanjoll.

“Mendoj se ai ka marrë vendimin më të mirë të karrierës së tij. Në Mallorca ka bërë për vete të gjithë fansat, është idhull. Pa të skuadra do të ishte në Kategorinë e Dytë. Nuk ka asgjë më mirë se të jesh në një ekip që të beson, ai është sulmuesi kyç dhe do të ndihet si në shtëpinë e tij”, tha fillimisht Juanmi Sanchez për ‘GazetaBlic Sport’.

Gazetari i lidhur ngushtë me Mallorcan thekson se tifozeria e Mallorcas janë të “çmendur” në festë pas transferimit të Muriqit, pasi ai bëhet edhe lojtari më i shtrenjtë në historinë e klubit simpatik.

“Tani janë larguar lojtarë të rëndësishëm si Salva Sevilla apo Manolo Reina. Vedat Muriqi aktualisht është lojtari më i rëndësishëm në skuadër. Ai është transferimi më i shtrenjtë në historinë e Mallorca (8 milionë + bonuse deri në 9.5) duke kaluar Samuel Eto’o (7.2 milionë). Tifozët janë çmendur pas nënshkrimit të ‘Piratit nga Kosova’, vazhdoi ai.

Sanchez pret shumë nga Muriqi në edicionin e ardhshëm. Ai thotë se sulmuesi do të jetë kyç edhe stinorin e ardhshëm, ku do të shënojë së paku 10 gola.

“Pres që një Muriqi të jetë kyç. Le të vazhdojë të kontribuojë me gola, asistime dhe shumë më tepër për ekipin. Ai është i pari që mbron dhe sulmon. Një sezon i plotë për Muriqin në Mallorca mund të nënkuptojë më shumë se 10 gola për të. Një figurë që Mallorcas i duhet për të qëndruar në La Liga”.

Në fund, Sanchez dha edhe detajet e transferimit të Muriqit në Mallorca. 28 vjeçari do të kryejë sonte testet mjekësore dhe nesër do të fillojë stërvitjet parasezonale me ekipin në shtetin e Austrisë.

“Muriqi sot mbërrin në Austri, ku ekipi po zhvillon një fazë parasezonale. Aty do të nënshkruajë kontratën e re deri në vitin 2026, do të kalojë kontrollet mjekësore pranë qytetit të Fulpmes dhe nesër do të jetë me bashkëlojtarët. Ai nuk do të luajë me Genoan në një miqësore, por tashmë do të jetë me ekipin. Transferimi i tij është mbyllur në 8 milionë, por me bonuse (mund të arrijë në 9.5 nëse skuadra arrin të qëndrojë në La Liga). Ky operacion ka qenë i mundur falë faktit se Club Brugge anuloi transferimin e tij. Mallorca ishte e vëmendshme dhe shfrytëzoi rastin për të mbyllur nënshkrimin e tij”, përfundoi ai.

/GazetaBlic Sport

Juanmi Sanchez, gazetari i Marcas dhe drejtori i FutbolMallorca