Sporti

Shkëlqimi i Shkupit në Evropë, drejtori Bunjaku: Besojmë tek kualifikimi në grupet e Ligës së Kampionëve

07/20/2022 18:26
nga:Mergim Rreci

Shkupi është skuadra shqiptare nga Maqedonia e Veriut që po shkëlqen në kualifikueset e Ligës së Kampionëve.

Të drejtuarit e Goce Sedloski janë momentalisht në raundin e dytë kualifikues, atje ku treguan paraqitje fantastike në ndeshjen e parë ndaj gjigantit kroat, Dinamo Zagreb, në ndeshjen e parë, me takimin që përfundoi me rezultat 2 me 2.

Duket një organizim i mrekullueshëm brenda klubit shqiptar, organizim ky që po rezulton suksesshëm në fushë.

Në një prononcim për GazetaBlic Sport, drejtori sportiv, Omer Bunjaku, ka folur rreth suskesit të arritur deri më tash, duke thënë se ka besim të plotë se mund të arrihet kualifikimi i madh në grupet e Ligës së Kampionëve.

“Luajtëm një ndeshje shumë të madhe, në pjesën e parë ishim më të mirë se kundërshtari gjatë gjithë kohës, por në minutat e fundit të pjesës së parë kundërshtari arriti të shfrytëzojë edhe rastin më të vogël. Normalisht që besojmë tek kualifkimi i madh në grupe, pa besim, nuk arrihet asgjë, askush nuk na besoi që do të bëhemi kampionë, por ne e bëmë këtë gjë. Kemi sukses edhe para fillimit të kompeticioneve evropiane, kemi besuar se mund të bëjmë gjëra të mëdha në Evropë dhe jemi në rrugën e duhur“, tha fillmisht Bunjaku.

Më pas ai foli edhe për atmosferën dhe motivin që po mbretëron brenda grupit, si dhe për tifo-grupin “Shevercerat”, grup ky që në numër të madh është gjithmonë pas Shkupit.

“Kemi një ekip të mirë, por kemi edhe një trajner shumë të mirë që di t’i vendosë të gjitha kockat në vendin e tyre. Motivi është shumë i madh, por duhet të jemi me këmbë në tokë dhe të luajmë një ndeshje më të madhe se ajo e Zagrebit nëse duam të kalojmë. Për “Shvercerat” dihet që janë të motivuar në çdo ndeshje, por këtë herë besoj të gjithë e tregojnë dhe kanë parullën e duhur “Europa po vjen”, përfundoi Bunjaku.

Ndeshja kthyese ndaj Dinamo Zagreb zhvillohet të martën e ardhshme, në ora 21:00.

/GazetaBlic Sport/