Lideri i PDK-së, Memli Krasniqi, ka kritikuar kryeministrin Kurti për konferenca nga selia e partisë, për të cilat thotë se ai nuk do të duhej të kishte kohë, në këtë gjendje krize, raporton Gazeta Blic.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se kur Kosova është në ditët më të vështira të stresit social dhe ekonomik që nga paslufta, Kurti duke qenë i paaftë për përgjegjësitë e një kryeministri, po ikën nga ballafaqimi me gjendjen dhe po e shet si ngjarje për popullin mbajtjen e një procesi të rëndomtë zgjedhor të subjektit të tij politik.
Krasniqi po ashtu ka thënë se Kurti jo vetëm që s’ka zgjidhje për krizën, por nga paaftësia e tij qeverisëse, është duke i kontribuar edhe më shumë asaj.
Ai i ka bërë thirrje kryeministrit që ta rikthejë fokusin e të përqendrohet për të marrë masa të qëndrueshme për t’ua lehtësuar qytetarëve të vendit tonë ballafaqimin me këtë krizë ekonomike gjithëpërfshirëse e të kudondodhshme.
Postimi i tij i plotë:
Për një kryeministër të përgjegjshëm e veçmas në këto rrethana krize, nuk do të duhej të kishte shumë vend për konferenca shtypi nga selia e partisë, sepse detyra e parë e tij është mandati përballë qytetarëve e jo defilimi përballë militantëve. Por, ai që refuzon të përgjigjet e të mbajë përgjegjësi për dështimet përballë qytetarëve, gjithmonë do ta kërkojë shpëtimin diku tjetër.
Kosova është në ditët më të vështira të stresit social dhe ekonomik që nga paslufta. E duke qenë i paaftë për përgjegjësitë e një kryeministri, Albin Kurti po kërkon t’i ikë ballafaqimit me gjendjen, duke e shitur si “ngjarje” për popullin, mbajtjen e një procesi të rëndomtë zgjedhor të subjektit të tij politik. Mbajtja e zgjedhjeve brenda Lëvizjes Vetëvendosje është pjesë e demokracisë, por “ngjarja e vërtetë” është kriza që ka përfshirë gjithsecilën familje në vend.
Komoditeti për t’u angazhuar në zgjedhje të brendshme në rrethanat aktuale të krizës së përgjithshme ekonomike, i shkon për shtati pikërisht një kryeministri të këtillë, i cili merret me zgjedhje në parti, sepse s’ka kurrfarë zgjidhje për popull. Fatkeqësisht, ai jo vetëm që s’ka zgjidhje për krizën, por nga paaftësia e tij qeverisëse, është duke i kontribuar edhe më shumë asaj.
Në këto rrethana, qytetarëve iu duhet një kryeministër që mendon për zgjidhje të problemeve e jo për zgjedhje partiake! Prandaj, kryeministri duhet ta rikthejë fokusin e të përqendrohet për të marrë masa të qëndrueshme për t’ua lehtësuar qytetarëve të vendit tonë ballafaqimin me këtë krizë ekonomike gjithëpërfshirëse e të kudondodhshme.


