“Kosova është vend kaotik, por shumë i gjallë”, është përshkrimi me të cilin arkitekti gjerman, Jan Liesegang, nis bisedën me Radion Evropa e Lirë.
Liesegang ndodhet në Kosovë për të realizuar një projekt për rikthimin e hapësirës industriale të fabrikës së tullave në Prishtinë në një qendër alternative kulturore.
Ky objekt, që për shumëkënd mund të duket thjesht përplot me rrënoja, në syrin e Liesegangut është ideal për takime të artistëve, diskutime, koncerte e të tjera.
“Vërtet, fabrika e tullave mund të jetë një inkubator për aktivitete të ndryshme, qoftë për lagjen që e rrethon, apo për tërë qytetin [Prishtinën], por edhe për koncerte të mëdha”, shprehet Liesegang.
Intervenimet që po kryhen në tulltoren e qytetit nga ekipi i drejtuar nga Liesegang, po bëhen në kuadër të aktivitetit kulturor “Manifesta” – një bienale evropiane nomade që këtë vit zhvillohet në Kosovë.
Ajo i kushtohet artit në hapësirat publike, por shërben edhe si urë komunikimi mes artistëve.
“Manifesta 14 Prishtina” synon, në fakt, t’i mbështesë qytetarët e Kosovës në rikthimin e hapësirave publike.
Kosova mund ta bëjë këtë kapërcim, thotë Jan Liesegang. Ai është njëri nga themeluesit e Raumlabor-it, një kolektiv arkitektësh eksperimentalë, me bazë në Berlin të Gjermanisë. Puna e tyre mund të përshkruhet si një kryqëzim i arkitekturës, planifikimit urban, artit dhe ndërhyrjeve në objekte ekzistuese.
Liesegang thotë se Prishtina është një vend tejet kaotik, në të cilin ndërtimet e reja nuk janë miqësore me ambientin.
“Aktualisht, kur shoh ndërtimet e objekteve nëpër qytet, mendoj se po shkohet krejtësisht në drejtim të gabuar. Është katastrofë. Po vazhdon ndërtimi i objekteve me xham, e brenda pak vitesh ne nuk do të kemi resurse energjetike të përballueshme… dhe këto objekte do të jenë të zbrazura, të ftohta apo tepër të nxehta”, thotë Liesegang.


