Sporti

Lewandowski është futbollist i Barcelonës, sot udhëton drejt Katalunisë

07/16/2022 08:25
nga:Mergim Rreci

Barcelona dhe Bayern Munich më në fund kanë rënë dakord për një marrëveshje për transferimin e Robert Lewandowski, konfirmon Fabrizio Romano.

Kushtet personale mes sulmuesit dhe Barçës ishin rënë dakord muaj më parë, por një marrëveshje me Bayern Munich kishte munguar pasi kampionët gjermanë mbajtën qëndrimin e tyre se ai nuk ishte në shitje, përcjell GazetaBlic Sport.

Megjithatë, gjatë dy ditëve të fundit, gjigantët bavarez filluan të ambientoheshin me marrëveshjen dhe përfundimisht kanë vendosur të pranojnë ofertën e fundit të Barçës, pasi kishin refuzuar tre oferta të mëparshme.

Romano pretendon se marrëveshja është 50 milionë euro, përfshirë shtesat, me Lewandowski që refuzoi të negociojë me Chelsean dhe Paris Saint-Germain, të cilët ishin gjithashtu të interesuara për nënshkrimin e kapitenit 33-vjeçar polak.

Më tej thuhet se Lewandowski do të mbërrijë në Barcelonë sot, pra të shtunën, edhe pse zyrtarizimi i tij mund të vonohet pak. Sidoqoftë, qendërsulmuesi i Bayern Munichut pritet të jetë pjesë e turneut parasezonal të Barçës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

/GazetaBlic Sport/