Lajme

Konjufca ministrit polak: E ardhmja e Kosovës është BE-ja

07/15/2022 13:19
nga:N M

Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca ka pritur në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Polonisë, njëkohësisht kryesues i radhës i OSBE-së, Zbignieë Rau, shkruan Gazeta Blic.

Sipas një njoftimi për media, Konjufca dhe ministri Rau biseduan për intensifikimin e bashkëpunimit mes dy shteteve dhe angazhimin e Polonisë në rajon si kryesuese e radhës e OSBE-së.

“Po ashtu u shkëmbyen mendime rreth punës së legjislativit, progresit që ka shënuar Kosova me ndërmarrjen e reformave në fushën e sundimit të ligjit, lirisë së shprehjes, demokracisë, sistemit zgjedhor dhe të drejtave të njeriut, si dhe bashkëpunimin e Kuvendit me misionin OSBE-së në Kosovë”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Ai shprehu mirënjohje për mbështetjen e Polonisë dhe intensifikimin e bashkëpunimit, teksa ritheksoi se e ardhmja e Republikës së Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian.

“Kryetari Konjufca dhe z.Rau shprehën gatishmërinë për të çuar më tej marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimin mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Polonisë. Po ashtu theksuan si çështje me rëndësi strategjike integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE”, thuhet nga zyra për media e Kuvendit.

MSH publikon raportin e fundit, kaq raste u shënuan me COVID 19 në 24 orët e fundit në Kosovë