Lajme

Gjykimi për krime lufte në ’98-ën në Bellopojë të Pejës, dëshmitari thotë se e kishte shpëtuar të dëmtuarën nga i akuzuari

07/12/2022 18:01
nga:Q R

Dëshmitari Momçilo Saviç, ka thënë e kishte shpëtuar të dëmtuarën Tigjë Kadrija nga Svetomir Baceviç dhe e kishte kthyer në shtëpinë e saj, në rastin ku ky i fundit po akuzohet për krime lufte në vitin 1998 në Bellopojë të Pejës.

Një deklarim të tillë, dëshmitari Saviç e ka dhënë në seancën e së martës, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit special Ilir Morina, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas dëshmitarit Saviç, në oborrin e familjes Kadrija të cilët i kishte fqinjë, atë ditë ishin dëgjuar disa britma duke kërkuar ndihmë, të cilat britma ai tha se i kishte dëgjuar nëna e tij dhe ajo i kishte kërkuar të njëjtit të shkojë e të shoh se çka po ndodh.

“Kanë bërtitur me zë ndihmë, ndihmë, më ndihmoni, nëna më ka lutur që të shkoj sa më shpejt të shoh çka po ndodh, nuk kam pritur shumë, kam shkuar deri në oborrin e tyre, pranë bunarit e kam takuar të moshuarin Rexhepi, i ka mbajtur duart në kokë dhe dy vajzat kanë qëndruar para terasës duke qajtur, unë i kam pyetur ato, vajzat as nuk kanë mundur që të më shpjegojnë se çfarë është”, deklaroi dëshmitari Saviç.

Tutje, ai tha se i moshuari Rexhepi i kishte treguar se tani i akuzuari Baceviç sipas tij me nofkën Slino, ia ka marrë gruan e tij, tani ta dëmtuarën Tigjë Kadrijaj dhe e kishte lutur për ndihmë që t’ia gjejë gruan.

Dëshmitari Saviç ka thënë se të dëmtuarën Tigjë Kadrija së bashku me të akuzuarin Baceviç i kishte gjetur tek shitorja e fshatit, ku tha se Tigjja kishte qenë e mbështetur për muri në distancë prej gjysmë metri nga i akuzuari, të cilin më pas ai tha se e kishte grushtuar pa mëshirë.

“Nuk kam pasur më mëshirë, jam afruar tek Hatixhja dhe te ai dhe e kam grushtuar sa kam pasur fuqi me seri goditjesh dhe e kam larguar një 3 metra më larg sepse ai ka qenë i dobët dhe i ka pasur 20 kg, Hatixhën e kam marrë për dore dhe jemi nis që ta kthej në shtëpinë e saj”, tha Saviç.

Sipas tij, i akuzuari Baceviç nuk kishte pasur në dorë ndonjë armë.

Në momentin kur e kishte parë të dëmtuarën në një gjendje të tillë, dëshmitari tha se e njëjta i ishte dukur sikur në vendin e saj të ishte nëna e tij, e cila sipas tij në atë kohë ka qenë e moshës rreth 65-vjeçare.

I njëjti theksoi se në vendin ku e kishte gjetur të dëmtuarën, kishte pasur edhe persona tjerë por sipas tij nuk është në dijeni se kush kanë qenë.

Pasi që e kishte goditur tani të akuzuarin, dëshmitari Saviç tha se iu kishte drejtuar të pranishmeve “se kjo nëse përsëritet edhe një herë do të më përgjigjen mua, nuk guxon në asnjë familje shqiptare, boshnjake apo rome kjo të mendohet e le më të ndodh”, tha tutje dëshmitari.

Gjatë rrugës për në shtëpi, ai tha se dëmtuara kishte qenë shumë e frikësuar dhe tërë kohën e ka falënderuar të njëjtin që e ka shpëtuar.

Saviç ka thënë se gjatë viteve ‘98-99 në fshatin Bellopojë nuk kishte pasur forca ushtarake apo policore të ish-Jugosllavisë.

Sipas tij, i akuzuari Baveciç ka qenë i dëmshëm për tërë fshatin pasi që sipas tij ai prej moshës 14-vjeçare ka qenë nëpër burgje dhe për të njëjtin ai tha se ka qenë hajn.

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Baceviç, avokatit Dejan Vasiq, ai tha se çfarë ka deklaruar sot është tërë e vërteta.

Ndryshe, në seancën e 16 qershorit të këtij viti, avokati Vasiq kishte njoftuar gjykatën se do të paraqes propozimin e tij për zëvendësimin e masës së paraburgimit me dorëzani në shumë prej 5 mijë euro, të cilin propozim e kishte aprovuar Gjykata Themelore në Prishtinë.

Mirëpo, lidhur me këtë sipas kryetarit të trupit gjykues Musa Konxheli, Gjykata e Apelit ka nxjerrë vendim, me të cilin ka vendosur që të akuzuarit t’i vazhdohet masa e paraburgimit.

Ai tha se nga kjo ditë, të njëjtit do t’i vazhdohet paraburgimi dhe se mjetet do të kthehen.

Seancat e radhës për këtë rast u caktuan më 5 dhe 6 shtator 2022.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të ngritur më 9 nëntor 2021, Svetomir Baceviç po ngarkohet se gjatë periudhës kohore në mes të muajve korrik-gusht të vitit 1998, në fshatin Bellopojë, Komuna e Pejës, gjatë një konflikti me karakter jo-ndërkombëtar të zhvilluar në mes të pjesëtareve të UÇK-së dhe forcave ushtarake të Republikës Federative të Jugosllavisë dhe forcave policore të Serbisë, me dashje i shkel rregullat e së Drejtës Ndërkombëtare Kundër Personave Civil.

Sipas aktakuzës, në periudhën kohore relevante për këtë aktakuzë, Baceviç merr peng të dëmtuarën Tigjë Kadrija, në atë mënyrë që ditën e incidentit, i armatosur shkon në shtëpinë e fqinjëve të tij – të dëmtuarve Rexhep dhe Tigjë Kadrija, që të dy të moshës rreth 60 vjeçare, me të cilin rast fillimisht gjuan me armë automatike në drejtim të kulmit dhe dritareve të shtëpisë, pastaj me forcë hyn në shtëpi dhe i dëmton gjësendet e shtëpisë me pretekstin se po kontrollonte për njerëz të tjerë.

Tutje, në aktakuzë thuhet se Baceviç nën tytën e armës i nxjerr në oborr të dëmtuarit dhe i keqtrajton fizikisht dhe psiqikisht, duke i urdhëruar që të ulen dhe ngriten në këmbë disa herë dhe në atë moment, nën kërcënimin e armës e rrëmben të dëmtuarën Tigjë dhe e nxjerr në rrugë, kurse të dëmtuarit Rexhep i thotë se po e dërgonte gruan e tij në shtab të ushtrisë dhe policisë serbe.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Baceviç e paralajmëron të dëmtuarin Rexhep se mund ta merrte të dëmtuarën Tigjë vetëm pasi t’i sjell pjesëtarët e UÇK-së dhe kështu, nën kanosjen e armës, duke ia vënë në shpinë tytën e armës, e detyron të dëmtuarën Tigjë që të niset nga shtëpia dhe të ecë përgjatë rrugës së fshatit, në kohë nate dhe kohë lufte, në një zonë jo shumë të banuar dhe pa ndriçim.

Tutje, sipas aktakuzës, Baceviç e dërgon të dëmtuarën Tigjë tek qendra e fshatit, ku ndalet tek shitorja dhe në prezencë të shumë personave të tjerë e mbështet për muri kurse vet me armë në dorë i rri përballë në distancë shumë të afërt, me qëllim të poshtërimit në prezencën e shumë personave të tjerë që gjendeshin tek shitorja.

Në aktakuzë thuhet se në ato momente arrin fqinji i të dëmtuarës, dëshmitari Momçilo Saviç, i cili përleshet me të pandehurin duke e goditur me grusht, me të cilin rast arrin ta shpëtoj të dëmtuarën dhe ta kthejë në shtëpinë e saj, kurse të nesërmen i merr te dy të dëmtuarit dhe në fshehtësi nga ushtria dhe policia serbe, i largon nga fshati Bellopojë, duke u krijuar mundësinë që të shkojnë në qytetin e Pejës.

Më këtë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”, e ndëshkuar me nenin 142 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, aktualisht i ndëshkueshëm sipas veprës penale “Krime lufte në shkelje të rëndë të nenit të përbashkët për konventat e Gjenevës”, nga neni 146 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi