Kryetari i Komunës së Shtërpcës, dhe nënkryetari i Listës Serbe, Dalibor Jevtiq, ka deklaruar se aksioni i sotëm i policisë në Shtërpcë është “dëshmi se presioni ndaj serbëve po vazhdon”. Ai pyeti komunitetin ndërkombëtar se “deri kur do të tolerojë këtë lloj presioni ndaj serbëve në Kosovë”.
Ai ka treguar se sot ka ndodhur një aksion i ROSU-së, ku janë bastisur disa lokacione në Shtërpcë dhe është kërkuar që të kontrollohen të gjitha kamerat e vëzhgimit në rrugë, si dhe janë kontrolluar lokalet e Organeve paraleles serbe.
“Është e qartë se kjo është një formë presioni ndaj të gjithë qytetarëve, banorëve të Shtërpcës dhe një mesazh i qartë për të gjithë banorët se jeta e serbëve në Shtërpcë është e vështirë dhe është e qartë se qëllimi i vetëm i këtij aksioni është frikësimi”, ka pretenduar Jevtiq.
Ai ka shtuar se Komuna e Shtërpcës i ka takuar të gjithë ata që kanë kërkuar informata lidhur me video vëzhgimin dhe kamerat të cilat “janë vendosur në përputhje me ligjet”.
“Ne nuk kemi bërë asgjë në mënyrë ilegale dhe të kundërligjshme, gjithçka është në përputhje me procedurat dhe rregulloret”, ka thënë Jevtiq dhe ka shtuar se “kamerat nuk funksionojnë prej vitesh dhe se këtë i kanë treguar institucioneve që kanë kërkuar këtë informacion para aksionit të sotëm”.
Ai ka pretenduar se “nuk ka pasur asnjë arsye, asnjë bazë ligjore për të vepruar në këtë mënyrë dhe se kjo është dëshmi se është një veprim politik. Qëllimi i vetëm i aksionit është të ushtrojë presion mbi popullatën, institucionet dhe udhëheqjen. Unë nuk shoh ndonjë arsye tjetër”, ka thënë Jevtiq.


