Pacientët e planifikuar për radioterapi nuk mund ta marrin këtë shërbim në Klinikën e Onkologjisë në Prishtinë, njoftoi të mërkurën Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK).
Kjo për shkak të reshjeve të shumta atmosferike, të cilat kanë depërtuar në bodrumin e kësaj klinike, duke e bërë kështu të dal jashtë funksionit gjithë aparaturën e radioterapisë.
“Ekipet e Klinikës së Onkologjisë, bashkë me sektorin teknik dhe atë të pajisjeve mjekësore të SHSKUK-së, kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme duke shkyçur nga puna aparaturën e radioterapisë, me qëllim të parandalimit të pasojave të pa paparashikueshme”, thuhet në njoftim.

Sipas SHSKUK -së, në ndihmë kanë ardhur edhe ekipi zjarrfikësve dhe shërbimeve komunale të cilët kanë asistuar gjatë gjithë kohës.
“Apratura e Radioterapisë për momentin është jashtë funksionit, kurse shërbimet e tjera në Klinikën e Onkologjisë po ofrohen normalisht”, thuhet më tej në njoftim.
Sipas SHSKUK -së, bazuar në vlerësimin final dhe testimet e nevojshme, Kolegjiumi i Klinikës së Onkologjisë do të dalë me rekomandime, se si do veprohet më tutje me trajtimin e rasteve në radioterapi.

SHSKUK ka bërë të ditur se i ka njoftuar përmes telefonit për ndërprerjen e shërbimeve të radioterapisë të gjithë pacientët që marrin këtë shërbim.
Radio Evropa e Lirë ka bo përpjekje për më shumë informata për numrin e pacientëve që marrin këtë terapi në Onkologji dhe se ku do t’i marrin të njëjtat gjatë kësaj kohe, por kjo klinikë nuk ka dhënë informata shtesë. (Rel)


