Sporti

Kryetari i KOK’ut, Ismet Krasniqi: Tejet i lumtur me garuesit tanë, presim edhe medalje tjera – jemi mirëpritur nga populli algjerian, pavarësisht se nuk na njohin si shtet

06/30/2022 18:59
nga:L J

Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi është shprehur shumë i kënaqur me përfaqësimin e garuesve kosovarë në Lojërat Mesdhetare Oran 2022.

Kosova po merr pjesë në Lojërat Mesdhetare 2022 në Oran të Algjerisë, ku po përfaqësohet nga 39 sportistë. Aktualisht është duke u zhvilluar dita e pestë e Lojërave Mesdhetare në Algjeri, e deri tani Kosova ka siguruar 4 medalje, dy të arta dhe dy të bronzta, shkruan GazetaBlic Sport.

Distria Krasniqi e Laura Fazliu fituan medaljet e arta në kategoritë e tyre në xhudo, kurse Flaka Loxha dhe Akil Gjakova ia siguruan Kosovës medaljet e bronzta. Boksieri, Shpëtim Bajoku ka siguruar medalje, por sot garon për të synuar maksimumin, pra për të arritur në finale dhe për ta rrëmbyer të artën në kategorinë -63kg.

Kryetari i KOK’ut, Ismet Krasniqi potencoi se është një kënaqësi e madhe për medaljet e fituara deri më tani.

“Është kënaqësi e madhe të shohësh sportistët tanë duke fituar medalje në një ngjarje të tillë siç janë Lojerat e 19-ta Mesdhetare, të dytat për vendin tonë. Sapo fituam edhe dy medalje me xhudistet Laura Fazliu dhe Akil Gjakova, të cilet me plotë meritë fituan medaljet. Akili me pak fat ka mundur ta fitojë edhe të artën. Vërtetë është moment tejet i lumtur, pasi tashmë kemi thyer edhe numrin e medaljeve të fituara nga Tarragona 2018”, tha fillimisht Ismet Krasniqi për ‘GazetaBlic Sport’.

Megjithatë, Krasniqi beson se Kosova do të sigurojë edhe më tepër medalje nga Lojërat Mesdhetare, teksa shpreson shumë edhe tek Shpëtim Bajoku, të cilin e përshkruar si boksier me cilësi të mëdha.

“Natyrisht që presim edhe medalje tjera. Dje na bënë krenar Distria, Flaka e Shpejtim Bajoku. Bajoku do të garojë edhe sonte ku besojmë që do të kualifikohet në finale dhe do të stoliset me medaljen e artë, pasi është një boksier me cilësi të larta dhe këtë e dëshmoi edhe në dy luftërat paraprake. Nesër po ashtu presim medalje nga xhudistët tjerë, Loriana Kuka dhe Shpat Zeka, por pres që edhe sportistët tjerë të kenë paraqitje sa më të mirë dhe pse mos të fitojmë edhe ndonjë medalje tjetër”, vazhdoi Krasniqi.

Në fund, kryetari i Komitetit Olimpik theksoi se pavarësisht faktit që Algjeria nuk e njeh shtetin e Kosovës, garuesit dhe stafi i shtetit tonë është pritur në mënyrë fantastike.

“Algjeria iu bashkohet atyre shteteve që nuk e njohin vendin tonë, por këto ditë kjo as që është vërejtur, pasi mikpritja për shtetin tonë ka qenë e jashtëzakonshme, veqanërisht nga populli algjerian, të cilët edhe në parakalimin e ekipit tonë në ceremoninë hapëse, brohoritnin Kosova, Kosova. Këto ditë, së bashku edhe me zëvendësministren Daulina Osmani, jemi munduar që krahas paraqitjes së sportistëve dhe ngritjes së flamurit tonë në ceremoninë e medaljeve, ta përfaqësojmë vendin edhe përmes intervistave të ndryshme të mediave algjeriane, interesimi i të cilave ka qenë tejet i madh”, përfundoi Krasniqi.

/GazetaBlic Sport