Sporti

Doli i pari në Pragë të Çekisë, Selmani: Është një emocion i papërshkrueshëm që nuk di ta them me fjalë

06/21/2022 21:07
nga:Mergim Rreci

Islam Selmani është shpallur kampion i Evropës.

Selmani ka triumfuar në Kampionatin Evropian për kadet, junior dhe U21, që u organizua në Pragë të Republikës së Çekisë.

Karateisti ynë shënoi pesë fitore në kategorinë e juniorëve në këtë garë, duke triumfuar në kategorinë deri në 55 kilogramë.

Për ‘GazetaBlic Sport’, Selmani u shpreh shumë i lumtur dhe tha se nuk ka qenë aspak e lehtë që kjo gjë të arrihet.

“Pas shumë sakrificash për 10 vite, korra një sukses të madh, të them të drejtën nuk ishte aq e lehtë për të arritur deri në këtë pikë, por dhashë maksimumin për këtë fitore. Jam shumë krenar që arrita në këtë pikë, sepse nuk zhgënjeva as mundin e trajnerit tim Isak Curri dhe as mundin e familjes që punoi shumë që unë të arrija këtu ku jam sot. Është një emocion i papërshkrueshëm që nuk di ta them me fjalë, por jam shumë i lumtur”, tha fillimisht ai.

Më pas, ai foli edhe për ëndrrën e tij të së ardhmes, atje ku tha karateja ka qenë ëndrra e tij e madhe, në të cilën dëshiron që Kosovës t’i sjellë krenari.

“Karateja ka qenë ëndrra ime që nga fëmijëria dhe nuk do të ndalem kurrë, sepse kjo dua të jetë e ardhmja ime dhe dua që të tjerët të frymëzohen nga unë si dhe t’i bëj të gjithë krenarë. Këtë e bëj me shumë dëshirë për vendin tim Kosovën”, përfundoi Selmani për ‘GazetaBlic Sport’.