Azem Brahimi e ka dëshmuar edhe njëherë vlerën e tij të madhe në sportin e futsallit.
Brahimi është lojtar që ka shkëlqyer ndër vite brenda dhe jashtë vendit, duke arritur që madje edhe të ishte kapiten i skuadrës së Spartës së Pragës në Çeki, e duke qenë i ofertuar nga skuadra të ndryshme nga e gjithë Evropa.
Ai u kthye në muajin mars tek skuadra kosovare, FC Liqeni, atje ku arriti që me shumë sukses të shpallet edhe njëherë kampion i Kosovës, duke e shtuar numrin e madh të trofeve që ka në karrierën e tij, brenda dhe jashtë vendit.
Në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’, ai tha se është shumë i lumtur me suksesin e arritur, aq më shumë për faktin se u bë kampion me skuadrën e qytetit të tij.
“Ishte vërtet një edicion fantastik për ne pasi arritëm sërish të shpallemi kampion dhe të kualifikohemi në Champions League, ndjesia normale është e papërshkrueshme kur bëhesh kampion për herë të dytë radhazi që nuk ka ndodhur kurrë në Kosovë, aq më shumë për faktin se kjo gjë ndodhi me ekipin e vendlindjes”, tha fillimisht ai.

Brahimi më pas u pyet edhe për zhvillimin e futsalit në Kosovë, ku tha se duket qartë se ka përparim në këtë drejtim.
“Po, kam 10 vite në Evropë, futsali kosovar është zhvilluar shumë vitet e fundit, po luhen shumë lojëra të forta dhe sallat po mbushen me shikueshmëri”, vazhdoi ai me deklarimin e tij.

Duke pasur parasysh paraqitjet e tij pozitive, interesi i të gjithëve ishte që të kuptojmë të ardhmen e tij. Ai tha se nuk do të largoet nga skuadra e FC Liqenit.
“E ardhmja ime do të jetë tek FC Liqeni. Unë jam i lumtur këtu, këtu është vendlindja ime kam të gjithë miqtë dhe familjen time“, përfundoi Brahimi.

/GazetaBlic Sport/


