Lajme

Asociacioni i Komunave të Kosovës: Ministria e Pushtetit Lokal fajtore pse Sunny Hill dështoi në Prishtinë (dokument)

06/15/2022 13:53
nga:N M

Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës ka reaguar pasi që festivali Sunny Hill nuk do të mbahet në Prishtinë, por në Tiranë, raporton Gazeta Blic.

Ky bord i AKK, ka vlerësuar se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) ka ndërhyrë në kompetencat dhe në autonominë lokale të komunave, të cilat janë të përcaktuara me ligjet në fuqi.

Reagimi i plotë:

Neni 6 I LIGJIT PËR DHËNIEN NË SHFRYTËZIM DHE KËMBIMIN E PRONËS SË PALUAJTSHME TË KOMUNËS thotë se Afati i dhënies në shfrytëzim i pronës së paluajtshme të komunës vendoset nga KOMUNA, e jo nga niveli qëndror, ku komunat kanë të drejtë ta japin pronën e vet komunale në shfytëzim nga 1-15 vite, më shumë se 15 vite, pra deri në 99 vite dhe se komunat mund të japin në shfrytëzim pronën e paluajtshme për me pak se një (1) vit.
Kurse në shkresën e MAPL e nënshkruar nga Ministri z. Elbert Krasniqi drejtuar kryetarit të komunës së Prishtinës z. Përparim Rama kërkohet në mënyrë arbitrare që komuna ta adresojë kërkesën për ndryshimin e afatit për dhënien e pronës komunale në shfytëzim për festivalin “Sunny Hill”.
Në këtë shkresë ndër të tjera thuhet që “Ju si kryetar do ťa adresoni kërkesën për ndryshim të afatit të dhënies në shfrytëzim të pronës komunale, ku Vendimi përsëri duhet ťi nënshtrohet aprovimit në Kuvendin e Kryeqytetit, me procedurat të përshpejtuara përmes mbledhjes së jashtëzakonshme e pastaj, sipas legjislacionit në fuqi MAPL bënë vlerësimin e ligjshmërisë” Shkresën e keni të bashkangjitur.
Me këtë shihet dhe vërtetohet qartë ndërhyrja e MAPL në kompetencë të komunës e që këto ndërhyrje janë pengesë serioze në mundësinë e zhvillimit ekonomik lokal por edhe pengesë në zhvillimin e demokracisë lokale në Republikën e Kosovës.
Shpresojmë që kjo të jetë hera e fundit që niveli qëndror me dashje ndërhyn në kompetencat e komunave.