Një projektligj që rritë pagën minimale në vend, e ku veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk përfshihen, ka futur në ”luftë” Qeverinë e Kosovës me këta të fundit, raporton Gazeta Blic. E gjithë kjo përplasje po bëhet për 3 milionë euro në muaj.
Aktualisht pension nga buxheti i Kosovës marrin diku rreth 37 mijë veteranë në shumë mujore nga 170 euro dhe bazuar në një përllogaritje të thjeshtë del se në vit ndahen afër 75.4 milionë për këtë kategori.
Por në rast se veteranët përfshihen në projektligjin për pagën minimale e që Qeveria ka vendosur të jetë 250 euro neto, atëherë del se në vit pushteti dhe veteranët po “shtyhen’ për 35 milionë euro, në vit, në rastin ku pensionet e tyre mund të llogariten me ligj si pagë minimale (250) euro.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, disa herë ka thënë se pa u pastruar listat e veteranëve nuk do të ketë rritje pensionesh për veteranët, përderisa për këtë gjyqësori i Kosovës është duke trajtuar rastet kur veteranët kanë ‘fryrë’ listat.
Edhe Qeveria por edhe veteranët janë të betonuar në qëndrimet e tyre ku këta të fundit kanë thënë se miratimi i këtij projektligji pa përfshirjen e pensione të tyre, mund të prodhonte një situatë kur veteranët do të bllokonin Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës, qoftë përmes protestave apo edhe metodave të tjera si shenjë pakënaqësie.
Me veteranët janë tri partitë opozitare të Kosovës PDK, LDK e AAK.
LDK ka dhënë një propozim se si të dilet nga kjo situatë.
Shefi i GP të LDK-së, Arben Gashi ka thënë se veteranëve që janë të punësuar t`u mbetet pensioni 170 euro, përderisa ata që nuk punojnë të marrin pasion të baras vlefshëm me pagën minimale prej 25o euro në muaj neto.
Më i ashpër në raport me Qeverinë ka qenë kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj i cili në kuvend ka “kërcënuar” se një projektligji i tillë assesi nuk duhet të marrë aminin e deputetëve pa u përfshirë edhe veteranët.
Veteranët po kërkojnë që ky ligj të modifikohet, bashkë me ta dhe palë të tjera ku do të përfshiheshin edhe ata në pagën minimale në të kundërtën të kthehet mbrapsht në Qeveri.
Sot, protestë nuk ka nga veteranët për shkak se kanë thënë se nuk kanë mundur të mblidhen, por në rast se ligji kalon në Kuvend një protestë e organizuar nga ta nuk do të mungojë.


