Lajme

PE kërkon nga Serbia vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë

06/14/2022 11:04
nga:Astrit Gashi

Anëtarët e Komitetit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian miratuan sot Rezolutën për Serbinë.

Seancën e Komitetit për Politikë të Jashtme të PE-së e drejtoi eurodeputeti David McAllister, ku ishte e pranishme edhe ambasadorja serbe Ana Hrustanoviq.

Nga 58 anëtarë të Komisionit që votuan, 50 ishin “për” miratimin e rezolutës, tre abstenuan dhe pesë ishin kundër.

439 amendamente janë dorëzuar në draft-raportin e paraqitur nga raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Vladimir Bilchik, në prill, dhe grupet e mëparshme parlamentare miratuan 40 amendamente për zgjerimin e tekstit të raportit.

Sot nuk është miratuar amendamenti 80, në të cilin shprehet keqardhje për përsëritjen e zgjedhjeve në Serbi.

Përmes rezolutës, Parlamenti Evropian i bën thirrje Beogradit që “urgjentisht” të harmonizojë sanksionet e vendosura nga BE kundër Rusisë dhe Bjellorusisë.

Në dokument thuhet se Serbia, si kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duhet të respektojë politikat dhe standardet e BE-së në raport me Rusinë.