Lajme

Faton Peci: Pretendimet se Donika Gërvalla është kundër UÇK-së, janë të paqena

06/13/2022 22:56
nga:Q R

Pretendimet se ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla është kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ministri i Bujqësisë, Faton Peci, i ka quajtur të paqena.

Sipas tij, është përpjekje e kotë që të tentohet të ndjellet diçka që është kundër UÇK-së, në gjakun e familjes Jusuf Gërvalla.

Për ministrin Peci, kjo “është shtisje”.

“Kjo temë është një tentativë për t’iu rikthyer një teme të shtisur sikurse në të kaluarën, në periudhën pas luftës që ka pasur një tendencë që me e fut ish-presidentin Rugova si një kundërshtar i vlerave dhe asaj se çfarë përfaqëson familja Jashari”.

“E dyta mendoj që partite politike kryesisht opozitare, në një masë, sikur po bien pre e asaj që po e them temë e shtisur dhe mendoj që i ka dalë boja për shkak se me pretendu se Donika Gërvalla është kundër UÇK-së është thjesht e paqenë”, është shprehur Peci.

I ftuar në emisionin “Debat Plus”, ministri Peci ka thënë se jo vetëm ministrja Gërvalla por asnjë shqiptar nuk beson se kanë diçka kundër kauzës, veprimtarisë dhe luftës së UÇK-së.

“Në këtë kontekst, mendoj që çdo përpjekje, gjatë një viti qeverisjes, ne në Kosovë jemi përballur me një super ekskluzive e cila ka mbretëruar për një kohë të gjatë, ka qenë pritet shumë shpejt me burime të sigurta shkarkimi i Gërvalles, derisa në një intervistë kryeministri i vendit, Albin Kurti thjesht e shfyru atë balon”, ka thënë ai.