Tifozët e Irlandës së Veriut kanë udhëtuar në numër të madh në Prishtinë për ndeshjen ndaj kombëtares së Kosovës në futboll.
Kosova dhe Irlanda e Veriut sonte takohen me fillim nga ora 20:45, në kuadër të Ligës së Kombeve, përcjell GazetaBlic Sport.
Rreth 600 tifozë irlandezë do të jenë sonte prezent në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytetin e Kosovës.
Megjithatë, për të ardhur në Prishtinë, tifozët irlandezë kanë sakrifikuar shumë – pasi sipas tyre nuk ka pasur linja të drejtëpërdrejta, por janë dashur të bëjnë disa ndalesa – të cilat gjithashtu i kanë marrë jashtëzakonisht shumë kohë.
Ross Duncan, tifoz i flaktë i Irlandës së Veriut në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’ ka treguar se si ka ardhur nga vendi i tij në Prishtinë për të përcjellur ballafaqimin.
“Fillimisht kemi udhëtuar në Dublin, nga Dublini kemi shkuar me aeroplan në Londër, pastaj nga Londra poashtu me aeroplan në Sofie të Bullgarisë. Nga Sofia ne kemi marrë një veturë dhe kemi shkuar deri në Shkup – dhe më pas nga Shkupi ne kemi ardhur me autobusë. Në total kemi bërë më shumë se 30 orë rrugë”, tha fillimisht Duncan për ‘GazetaBlic Sport’.
Ai më pas tregoi se si po kalon periudhën e tij në Prishtinë dhe si po i duket vendi ynë, Kosova.
“Jam duke kaluar jashtëzakonisht mirë, vendi është i shkëlqyeshëm, njerëzit edhe më të mirë. Birrat janë lirë, teksa edhe femrat janë mjaft të bukura. Padyshim se do të kthehem sërish në Prishtinë, sidomos për festivalin “Sunny Hill”, unë shpresojë që do ta vizitojë këtë vend sa më shpesh që është e mundur”, vazhdoi ai.
Në fund, Ross Duncan dha edhe një parashikim për sfidën e sotme.
“Unë mendoj se sonte fiton Kosova me rezultatin 2:1”, përfundoi ai.
/GazetaBlic Sport



