Politologu i njohur amerikan Janusz Bugajski, dhe njohës i mirë i çështjeve të Ballkanit, ka shkruar në Twitter se Kremlini e sheh “Ballkanin e Hapur”, si një mjet të dobishëm për përmbysjen dhe ndarjen e Evropës.
Ai ka bërë thirrje për kujdes dhe vëmendje ndaj veprimeve ruse në Ballkan, duke theksuar se qeveritë pro-perëndimore duhet ta braktisin skemën dhe të mos ndjekin axhendën Moskë-Beograd.
“Kremlini e sheh ‘Ballkanin e Hapur’ si mjet të dobishëm për përmbysjen dhe ndarjen e Evropës”, shkroi Bugajski.
“Qeveritë pro-perëndimore duhet ta braktisin skemën dhe të mos ndjekin axhendën Moskë-Beograd”, ka shkruar ai.
Reagimi i Bugajskit pason anulimin e vizitës së shefit të diplomacisë ruse në Beograd.

Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov, do të duhej që sot të vizitonte Serbinë, por një gjë e tillë iu pamundësua pasi Bullgaria, Rumania, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, ndaluan fluturimin e aeroplanit të tij mbi hapësirat e tyre ajrore.
Lavrov tha më herët gjatë ditës se hapësira ajrore për të është mbyllur nga vendet e NATO-s, në mënyrë që ai të mos mund të shpreh në Beograd, mbështetjen për “Ballkanin e Hapur”, që sipas tij, është iniciativë e Serbisë.
Për më tepër tha se “vendet e Nato-s e mbështesin ‘Ballkanin e mbyllur” sepse sipas tij, “Ballkani i Hapur’ është projekt ruso-serb”.




