Në seancën e së hënës, Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme e ka aprovuar propozimin e përfaqësueses së paditësit R.Z, avokates Nadire Hoxha, që të ndërpritet procedura lidhur me ankesën e paraqitur kundër vendimit të Bordit të drejtorëve të Agjencisë Kosovar të Privatizimit (AKP), me të cilin iu ishte refuzuar kërkesa për blerjen e banesës.
Me fillim të seancës përfaqësuesja e paditësit Zogaj, avokatja Hoxha ka thënë se qëndron pranë ankesës së ushtruar në këtë gjykatë, duke shtuar se Bordi i drejtorëve të AKP-së nuk e kishte marr parasysh se paditësi ka pasur të drejtën e blerjes së banesës.
Ndërsa, përfaqësuesi i AKP-së, Përparim Gashi ka deklaruar se AKP-ja lidhur me rastin në fjalë ka pasur dy kërkesa për blerjen e banesës, dhe atë nga R.Z. dhe H.H, duke shtuar se paditësit Z. AKP-ja ia ka refuzuar kërkesën për blerjen banesës pasi sipas tij gjatë procedurës i njëjti nuk i kishte plotësuar kushtet sipas Ligjit për Shitjen e Banesës, siç është kontrata për shfrytëzim dhe vendimi për ndarje.
“Gjatë procedurës së parashtruar nga paditësi në fjalë nuk i ka plotësuar kushtet e paraparë me Ligjin për Shitjen e Banesave pasi që edhe vet pala paditëse deklaroj se nuk e ka pas kontratën mbi shfrytëzimin dhe vendimin për ndarjen, për rrjedhojë AKP-j e ka refuzuar kërkesën për blerjen e banesë duke u bazuar ne Ligjin për Shitjen e Banesës”, ka thënë ai.
Tutje, ai ka thënë se pasi që AKP-ja ishte njoftuar me vendimin e Gjykatës së Apelit, e njëjta ka qenë e detyruar të lidhë kontratë me palën H.H.
Sipas tij, me që se këto janë vendime përfundimtare dhe të obligueshme, AKP-ja me vendimin e Bordit të drejtorëve ia ka njohur të drejtën palës Hylki Hamzaj.
Ai në fund ka konsideruar se kjo çështje është e gjykuar, duke i propozuar gjykatës që ankesën e paditësit Zogaj ta hedhë poshtë si të papranueshme.
“Pasi që për rastin në fjalë ishte vendosur me vendim të formës së prerë të kolegjit të Apelit, konsiderojmë se kjo çështje është e gjykuar, i propozojmë gjykatës që mbi bazën e kësaj ta hedh poshtë ankesën si të papranueshme”, ka deklaruar Gashi.
Pas kësaj, përfaqësuesja e paditësit Zogaj, avokatja Hoxha i ka propozuar që të ndërpritet procedura kundër vendimit të Bordit të drejtorëve të AKP-së, me arsyetim se për këtë çështje kanë dorëzuar kallëzim penal në prokurorin speciale.
Lidhur me këtë përfaqësuesi i AKP-së e ka lëndë në kompetencë të gjykatës për të vendosur, ndërsa gjyqtari kryesues Asllan Krasniqi me aktvendim e ka aprovuar propozimin e përfaqësueses së paditësit Zogaj që të ndërpritet procedura kundër vendimit të Bordit të drejtorëve të AKP-së.
Po ashtu, gjykatësi Krasniqi e ka obliguar përfaqësuesen e paditësit Z., avokaten Hoxha që në afat prej shtatë ditëve ta dorëzoj në gjykatë kallëzimin penal të paraqitur lidhur me këtë rast.
Ndryshe, AKP-ja me vendimin e datës 26 shtator 2014, paditësit Z. ia kishte refuzuar kërkesën për blerjen e banesës.
Në vendimin e AKP-së thuhet se në bazë të nenit 7 paragrafi 2.1 të Ligjit për Shitjen e Banesave për të cilën ekziston e drejta banesore, pas vlerësimi të të gjitha provat ka gjetur se paditësi Z. nuk mund të kualifikohet si bartës i të drejtës banesore në kuptim të nenit 3 paragrafi 1.6 të Ligjit për Shitjen e Banesave dhe të Ligjit për Marrëdhëniet Banesore.
Pas kësaj, paditësi kishte ushtruar ankesë në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme me 7 nëntor 2014, me të cilin e kishte kundërshtuar vendimin e Bordit të Drejtorëve të AKP-së.
Në ankesë pretendohet se paditësi ka qenë punëtor shumëvjeçar i ish-Ndërmarrjes “Ballkani” të Suharekës-Organizatës bazë “Rrypat Trapez”, dhe me kontributin e tij dhe të punëtoreve të tjerë në vitin 1988/1989 ishin ndërtuar rreth 80 banesa, ku bënë pjesë edhe banesa të cilën i njëjti po kërkon ta blejë.
Në ankesë thuhet se, në vitin 1989 kishte konkuruar në konkursin e publikuar nga ndërmarrja për ndarjen e banesave, në të cilin konkurs thuhet se nga komisioni për çështje banesore ishte ranguar në listën prioritare për ndarjen e banesave dhe e cila i kishte dhënë të drejtën e shfrytëzimit të banesës.
Tutje, në ankesë paditësi Z. pretendon se në banesën të cilën kërkon ta blejë ishte vendosur në vitin 1989, prej asaj kohe duke e përjashtuar periudhën kohore 24 maj 1994 e deri më 12 qershor 1999 kur ishte larguar me dhunë nga banesa, e deri më sot këtë banesë e shfrytëzon dhe e posedon pa penguar nga askush.
Në ankesë thuhet se pas përfundimit të luftës në Kosovë dhe kthimit të tij në vendin e punës ën IGK “Ballkani”, i gjithë tubimi i punëtorëve ishte deklaruar se banesa të cilën tani kërkon ta blej i takon atij.
Pastaj në ankesë thuhet se, në vitin 2006 për banesën në fjalë ka pas pretendime se H.H. me vendimin e sajuar dhe të paligjshëm e ka larguar nga banesa dhe ia kishte arritur qëllimit.
Paditësi Z. pretendon se i takon e drejta për blerjen e banesa pasi që sipas tij, është shfrytëzues i saj, dhe mbi këtë bazë ai i ka propozuar Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme ta aprovoj si të bazuar ankesën e tij.


