Skuadra e Lirisë kishte një mundësi të artë për t’u kthyer në Superligën e Kosovës – por nuk ia doli dhe tashmë gjithçka nis nga e para edhe për një vit tjetër në klubin me traditë nga Prizreni.
Liria luajti në barazh me ekipin e Vushtrrisë – ku humbi në penallti dhe tashmë çoi dëm edhe një mundësi, shkruan GazetaBlic Sport.
Entuziazmi tek skuadra prizrenase u rikthye me ardhjen e kryetarit të klubit, Rrahman Kice, i cili thuhej se do të rikthejë klubin në elitën e futbollit vendor.
Por çka po ndodhë deri tani?
Siç duket tek Liria, të paktën deri më tani është duke mbizotëruar fryma e vjetër, pasi disa nga lojtarët kryesorë pritet të largohet nga klubi, madje edhe trajneri Granit Begolli – për të cilin u raportua shumë.
Kush mund të largohet?
Disa nga futbollistët që mbajtën barrën kryesore edicionin e kaluar mund të “ikin” nga skuadra e Lirisë.
Liridon Fetahaj, Viktor Kuka dhe Fitim Susuri janë emrat më të “nxehtë” për të braktisur ekipin prizrenas, por këta nuk janë të vetmir.
Çka po ndodhë me trajnerin Granit Begolli?
Për teknikun Granit Begolli u raportua se do të largohej pak javë para përfundimit të sezonit, megjithatë ai mbeti si “timonier” i klubit. Por, aktualisht kontrata e tij ka skaduar dhe nuk ka asnjë njoftim nga Liria, nëse ai do të vazhdojë – apo edhe do të ndajë rrugët me “Arpagjikët”.
Liria tani rrezikon të mbetet pa trajner, pa lojtarët kryesor dhe ndoshta … rrezikon t’i përsëritet historia e viteve të fundit.
/GazetaBlic Sport



