Gjatë vizitës zyrtare në Estoni, Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka zhvilluar takime me personalitete shtetërore dhe ka vizituar qendrat estoneze për të diskutuar dhe përfituar nga përvoja estoneze në veçanti në fushën e digjitalizimit.
Krasniqi në vazhdën e kësaj vizite zyrtare ka vizituar qendrën E-Estonia, për tu njoftuar nga afër me praktikat e kësaj qendre e cila ka inspiruar shtete të ndryshme, liderë botërore dhe korporata të suksesshme në rrugën e tyre drejt digjitalizimit.
Gjithashtu, Krasniqi është pritur në takim nga përfaqësuesit e Asociacionit të Komunave dhe Qyteteve Estoneze, Drejtori Ekzekutiv Veikko Luhalaid, Zëvendësdrejtori Jan Trei dhe Zëvendësdrejtori Rait Pihelgas.
Gjatë këtij takimi, Ministri ka njoftuar përfaqësuesit e Asociacionit të Komunave dhe Qyteteve Estoneze për fushëveprimin dhe iniciativat e MAPL-së, duke theksuar nevojën e reformave në nivelin lokal dhe ngritjen e kapaciteteve komunale në mënyrë që digjitalizimi të jetë sa më efikas dhe në shërbim të qytetarëve
Në anën tjetër, përfaqësuesit e Asociacionit të Komunave dhe Qyteteve Estoneze, kanë shprehur vullnetin e tyre për të bashkëpunuar me institucionet e Republikës së Kosovë, në fushën e zhvillimin ekonomik lokal, binjakëzimit në mes të dy Komunave të dy vendeve dhe natyrisht, asistimit të Komunave në digjitalizimin e shërbimeve komunale.


