Lajme

Berisha përlotet në fjalën e lamtumirës për ish-presidentin Nishani

06/02/2022 14:02
nga:G B

Famijarë, miq, bashkëpunëtorë dhe të afërm përcollën për në banesën e fundit ish-Presidentin Bujar Nishani, i cili ndërroi jetë disa ditë më parë në një spital në Gjermani pas problemeve të theksuara shëndetësore që i shkaktoi koronavirusi.

Fjalimi i fundit u mbajt nga ish-kryeministri Berisha, gjatë qeverisjes së të cilit Nishani shërbeu si ministër Drejtësie dhe ministër i Brendshëm.

Duke e nisur fjalimin e tij me fjalët “I dashur Bujar!”, Berisha e cilësoi largimin e Nishanit të parakohshëm të një njeriu që ngjiti me shpejtësi shkallët e karrierës duke qenë një drejtues i spikatur dhe i ndershëm. Beriusha tha se ndiheshin krenarë që kishin patur pranë një njeri, bashkëshort, demokrat dhe President si ai.

Pjesë nga fjalimi i Berishës:

Jemi këtu rreth teje të përcjellim me dhimbje të madhe në udhëtimin tënd të përjetshëm të parakohshëm që nis pasi ke ngjitur si rrallëkush shkallët e jetës dhe të detyrës. Megjithëse largohesh nga ne përgjithmonë, për sa kohë ne do jetojmë do mbetesh i gjallë me veprat, finsikërinë, përkushtimin, shërbimet e çmuara ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Me ne mbetet dhe do jetojë gjithmonë Bujar Nishani, njeriu i dashur, atdhetar, shërbëtor i përkushtuar i qytetarëve, demokrat i flakët dhe guximtar, burrështetas fisnik.

Sot këtu para teje ne jemi më të paktë në vete. Odeta ndihet sot më e paktë, më e trishtë se kurrë në jetën e saj për bashkëshortin fisnik që u largua para kohe.

Për Ersin, Fjonën sot është dita më e dhimbshme e jetës së tyre, por ata do jenë krenarë që patën fatin të kenë një baba si ti. Për Baba Faikun sot zija është më e rëndë se toka, por ai përsëri ndihet krenar se rriti një djalë si ti që i zbardhi faqen.

Për të gjithë ne të tjerët që patëm mundësi të njohim e bashkëpunojmë, do mbetesh një burim i pashtershëm frymëzimi dhe do kesh përgjithmonë mirënjohjen.

Dua të shpreh mirënjohje të thellë për familjen tënde dhe për ata që bën gjithçka që ti të mos niseshe në këtë rrugë. U prehtë në paqe miku im i dashur, i lehtë qoftë dheu i tokës sonë, lamtumirë!